Home / Lajme / Kosova / LDK: KEDS-i dhe MINTI po i tërheqin provat e mashtrimit, po bëjnë vepër penale

LDK: KEDS-i dhe MINTI po i tërheqin provat e mashtrimit, po bëjnë vepër penale

Janë tërhequr nga funksioni njehsorët elektrikë që janë vërejtur se ishin në mospërputhje me kohën, njoftoi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe  Inovacionit. 

Komisioni i posaçëm i themeluar nga MINTI për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut të mërkurën dhe ka identifikuar njehsorët. 

“Njehsorët, që janë vërejtur mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Visar Azemi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se KEDS-i dhe Komisioni i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, që po i tërheqin për verifikim njehsorët elektrikë, ora e të cilëve nuk përputhet me kohën reale, janë duke kryer vepër penale.

Sipas tij ato janë prova që dëshmojnë se qytetarët janë mashtruar nga KEDS-i dhe ndaj mashtrimit nuk ka reaguar as Ministria e as Zyra e Rregullatorit për Energji. 

Ai ka thënë se si të tilla ato prova duhet të dërgohen në Prokurori. 

“Ne do të kërkojmë përgjigje dhe do të kërkojmë transparencë, duhet të dihet se çfarë po hetohet nga Ministria, pse nuk janë trajtuar deri më sot, sa është numri i njehsorëve të tërhequr dhe këto prova duhet të shkojnë në prokurori jo të asgjësohen, Edhe KEDS-i edhe Ministria, që po i tërheqin këto prova, u bëj thirrje që të mos i prekin sepse po bëjnë vepër penale dhe ajo duhet të dënohet”, ka theksuar Azemi në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën. 

Ai ka thënë se KEDS-i e ka pranuar se ka pasur devijime me njehsorët elektrikë, por sipas tij, po mundohen që këto devijime t’i quajnë teknike, të vogla, e raste të izoluara. 

Azemi ka deklaruar se nga 884 mostra që ata kanë testuar 87 për qind kanë treguar se ora mat gabimisht. 

Azemi ka thënë se ka pranuar ankesa edhe nga 500 qytetarë  që kanë treguar se orët matin gabimisht. 

“Po flasim për një skemë të madhe të mashtrimit më njehsorë në dëm të qytetarëve”, ka deklaruar ai. 

Ka kritikuar edhe MINTI-n për reagim të vonë. 

“Nëse sot paskan dalë në terren për t’i hequr njehsorët elektrikë, atëherë pyetja e thjesht është ku paskan qenë tërë këto vite që nuk kanë reaguar. Paska pasur ankesa por nuk kanë reaguar, nuk e kanë bërë punën e tyre … Shteti paska dështuar dhe po reagojnë vetëm kur ka pasur skandali nga ne”, ka theksuar ai. 

Azemi ka thënë se pyetja është se çfarë do të bëjnë me të gjitha rastet ku është manipuluar deri më tash.

“S’mundin vetëm t’i tërheqin njehsorët, dhe të pretendojnë se janë raste të izoluar pa pasur një hetim të plotë nga organet e hetuesisë. Edhe ministria edhe KEDS-i duhet të hetohen deri në fund”, ka deklaruar ai, duke paralajmëruar se ditëve në vijim do t’i drejtohet Prokurorisë për ta paraqitur rastin.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com