Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: 10% e energjisë vjen nga burimet e ripërtëritshme fotovoltaike

Shqipëri: 10% e energjisë vjen nga burimet e ripërtëritshme fotovoltaike

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi u shpreh sot se diversifikimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë është prioritet për arritjen e objektivit të sovranitetit energjetik të vendit.

Në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi theksoi se tashmë 10% e energjisë vjen nga burimet e ripërtëritshme fotovoltaike në ndryshim nga 4 vite më parë kur vendi varej 100% nga energjia hidro.

“Po marrin plan masash për linjat e transmetimit. Në këtë drejtim, po ecën me ritme shumë të mira linja e Shqipërisë me Maqedoninë, kemi projektin e lidhjes ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Janë një sërë masash afatgjata të nisura para pesë vitesh që do na çojnë drejt mbajtjes së sovranitetit energjetik”, tha ministri Karakaçi.

Ministri informoi edhe mbi marrëveshjen e nënshkruar sot mes OSHEE-së dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për nënstacionin elektrik nëntokësor në Tiranë.

Sipas tij, “nënstacioni i qendrës hyn ndër asetet tashmë më të rëndësishme për sa i përket sigurisë së furnizimit të Tiranës me energji elektrike”.

“Kemi një nënstacion në qendër i cili ka kapacitete të kufizuara krahasuar me ritmet e zhvillimit të qytetit të Tiranës. Aktualisht jemi në faza shumë të avancuara, kemi bërë nënshkrimin e amendimit të marrëveshjes së financimit me BERZH. Projekti është për ndërtimin e nënstacionit të ri në qendër, i cili do të jetë nëntokësor me tre transformatorë”, tha Karakaçi.

Ministri theksoi se ky është ndër të vetmit nënstacione nëntokësore në rajon dhe Evropë.

“OSHEE është në faza shumë të avancuara të procesit. Është mbyllur procedura konkurruese dhe është në fazën e shpalljes së fituesit, i cili në gjithë këtë proces ndiqet edhe nga BERZH. Jemi në faza të avancuara të marrjes së lejes së ndërtimit për të filluar me procesin e ndërtimit brenda shumë pak muajsh”, tha ai.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com