Qeveria çeke ka vendosur të ndërhyjë për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve, në një kohë kur kriza energjetike po rëndon ekonomitë evropiane.
Kryeministri Andrej Babiš njoftoi se masa kryesore do të jetë vendosja e një kufiri maksimal për fitimin e kompanive të tregtimit të karburantit. Sipas tij, marzhi i lejuar për benzinën dhe naftën do të jetë 2.50 korona për litër.
Kjo masë do të shoqërohet edhe me uljen e akcizës, veçanërisht për naftën, në mënyrë që të ketë efekt real në uljen e çmimeve për konsumatorët.
Babiš theksoi se ndërhyrja synon të ndihmojë qytetarët, bizneset dhe të gjithë ekonominë, duke e konsideruar karburantin si një produkt kyç, sidomos për transportin dhe industrinë.
Kontrollet e çmimeve pritet të hyjnë në fuqi më 8 prill, ndërsa autoritetet do të vendosin një çmim maksimal ditor për karburantet.
Ndërkohë, vendet e Evropës Qendrore po ndërmarrin masa të ndryshme për të përballuar rritjen e çmimeve, e nxitur nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimit të naftës në tregjet globale.
Në Poloni janë vendosur tavane çmimesh, duke tërhequr edhe drejtues mjetesh nga vendet fqinje, ndërsa Sllovakia ka lejuar çmime më të larta për shtetasit e huaj.
Rritja e çmimeve është ndikuar gjithashtu nga ndërprerjet në furnizimin me naftë ruse përmes tubacionit “Druzhba”, pas dëmtimeve të shkaktuara nga sulmet në Ukrainë.



