Home / Lajme / Mjedisi / Demi: Ndërtesat jo-eficiente po rrisin kostot, taksat mjedisore duhet të investohen në izolim

Demi: Ndërtesat jo-eficiente po rrisin kostot, taksat mjedisore duhet të investohen në izolim

Ndërtesat me efikasitet të ulët energjetik po vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetet familjare dhe ekonominë, duke nxitur debat mbi mënyrën se si duhet të përdoren taksat mjedisore në vend. Një nga zgjidhjet më të drejtpërdrejta dhe me ndikim të menjëhershëm është investimi në izolimin e ndërtesave.

Sipas ekspertit të politikave publike, Agron Demi, “ndërtesat jo-eficiente janë një nga shkaktarët kryesorë të faturave të larta të energjisë. Taksat mjedisore nuk duhet të jenë thjesht një burim i ri për buxhetin, por të shfrytëzohen për programe konkrete që ulin humbjet e energjisë, si izolimi i ndërtesave.”

“Ndërtesat përbëjnë mbi 50% të konsumit të energjisë finale në Kosovë, ku pjesa më e madhe shkon për ngrohje të hapësirave. Sipas BERZH-it (EBRD), potenciali për kursim energjetik në këtë sektor është i jashtëzakonshëm: rreth 40–60% e energjisë që përdoret në ndërtesa mund të kursehej nëse ndërtesat do të izoloheshin dhe pajiseshin me sisteme efiçiente”, shkruan Demi në Buletini Ekonomik.

Demi thekson se një politikë e tillë ka një efekt të trefishtë: ulje të menjëhershme të konsumit të energjisë, reduktim të kostove për familjet dhe bizneset, dhe zvogëlim të varësisë nga importet e energjisë. Për më tepër, kjo kontribuon në uljen e emetimeve dhe përmbushjen e objektivave klimatike të vendit.

Problemi i ndërtesave jo-eficiente është veçanërisht i theksuar në vendet e rajonit, ku shumë banesa janë ndërtuar pa standarde moderne të izolimit. Kjo çon në humbje të konsiderueshme energjie, veçanërisht gjatë dimrit, duke rritur kërkesën për import dhe duke ushtruar presion mbi sistemin energjetik.

“Këto nuk janë ndërtesa të vjetra të disa shekujve, janë ndërtesa të ndërtuara kryesisht nga vitet 1951 deri në 1980, pa asnjë izolim termik. Një studim i disa profesorëve të Universitetit të Prishtinës ka gjetur se për ndërtesat kolektive të ndërtuara në këtë periudhë, humbjet e nxehtësisë përmes mureve janë 3.66 herë më të larta se standardet e sotme të Rregullores për kërkesat minimale të performancës energjetike në ndërtesa. Humbjet përmes dritareve janë 1.87 herë më të larta, ndërsa ato përmes çatisë janë 1.70 herë më të larta. Stoku total i ndërtesave kolektive (shumë-familjare) në Kosovë përfshin 2,939 ndërtesa me 40,886 njësi banimi dhe sipërfaqe totale të banimit prej 2,125,776 m²”, ka shkruar Demi.

Në këtë kontekst, përdorimi i të ardhurave nga taksat mjedisore për programe të izolimit shihet si një ndërhyrje strategjike.

“Në anën tjetër, sipas ASK, shteti mbledh mbi 377 milionë euro në emër të taksës mjedisore, por investon në mjedis vetëm 7 milionë, ose më pak se 2% të shumës së grumbulluar. Le të supozojmë se Qeveria e Kosovës vendos të investojë të gjitha të hyrat nga taksa mjedisore, rreth 370 milionë euro në vit, ekskluzivisht në izolimin e ndërtesave, në pajisje efiçiente të ngrohjes e ftohjes dhe në përmirësimin energjetik të shtëpive, bizneseve dhe institucioneve publike. Çfarë do të ndodhte?”, shkruan Demi.

Nëse Kosova do të dedikonte vetëm të hyrat e taksës mjedisore për një program kombëtar të izolimit, brenda 10 viteve do të investoheshin mbi tre miliardë euro”, sqaron ai tutje.

Ekspertët, duke përfshirë edhe Agron Demin, vlerësojnë se fokusi i politikave energjetike duhet të jetë jo vetëm te rritja e prodhimit, por edhe te menaxhimi i kërkesës, ku investimet në efikasitet energjetik konsiderohen ndër masat më kosto-efektive dhe me ndikim të shpejtë.

“Zgjidhja është e thjeshtë, le ta kthejmë taksën mjedisore aty ku i takon, në mjedis. Le të krijojmë një fond të dedikuar për efiçiencë energjetike, i mbushur nga taksa ekologjike e automjeteve, i menaxhuar me transparencë dhe i orientuar ekskluzivisht në izolimin e ndërtesave, instalimin e pajisjeve efiçiente dhe trajnimin e punëtorëve”, ka shkruar Demi.

Debati mbi përdorimin e taksave mjedisore pritet të intensifikohet, ndërsa rritet presioni për të gjetur zgjidhje konkrete ndaj kostove të larta të energjisë dhe sfidave të tranzicionit drejt një sistemi më të qëndrueshëm.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com