Home / Lajme / Kosova / LDK propozon rezolutë për uljen e çmimeve të naftës: Vetevendosje kundërshton, PDK dhe AAK mbështesin masat

LDK propozon rezolutë për uljen e çmimeve të naftës: Vetevendosje kundërshton, PDK dhe AAK mbështesin masat

Ka nisur seanca plenare e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Në rend dite është vetëm një pikë: shqyrtimi i Propozim-Rezolutës lidhur me rritjen e çmimeve të naftës dhe ndikimin e tyre në ekonominë e vendit.

Seanca u fokusua tek rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve të naftës, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës së qytetarëve.

Çmimi aktual i naftës ka arritur rreth 2.03 euro për litër, duke shënuar një rritje mbi 50% që nga fillimi i muajit mars.

LDK prezanton rezolutën për uljen e çmimit të naftës: ulja e akcizës, TVSH-së dhe subvencionimi i sektorëve më të ndjeshëm

Jehona Lushaku-Sadriu, kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës nuk është vetëm një lëvizje tregu, por baza e një krize ekonomike dhe sociale me ndikim në familjet kosovare.

“Duke pasur parasysh se edhe para rritjes së çmimit të naftës vendi përballej me një inflacion prej 6%, çdo rritje e këtij çmimi përkthehet automatikisht në rritje të të gjitha produkteve bazike,” tha Lushaku-Sadriu. Ajo theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur qytetarët.

Rezoluta e LDK-së, e përkrahur nga partitë e tjera opozitare, përfshin:

  1. Ulja e përkohshme e akcizës nga 36 cent në litër në 20 cent në litër, deri në stabilizimin e çmimeve në bursat ndërkombëtare.
  2. Ulja e përkohshme e TVSH-së nga 18% në 8% për naftën, duke zvogëluar barrën mbi qytetarët.
  3. Subvencionimi i çmimit të naftës për sektorët më të ndjeshëm, duke përfshirë bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

“Projekt-rezoluta ka përkrahjen e dy grupeve parlamentare të opozitës dhe kërkon ndërhyrje urgjente për mbrojtjen e qytetarëve,” tha Lushaku-Sadriu.

Hajdari nga Vetëvendosje kritikon planin e opozitës: Ulja e akcizës dhe TVSH-së për naftën rrezikon pagat dhe shërbimet publike

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, e kundërshtoi projekt-rezolutën, duke e cilësuar atë ekonomikisht të papërgjegjshme dhe politikisht populiste. Ajo paralajmëroi se ulja e të hyrave publike pa një plan kompensimi mund të rrezikonte financimin e pagave për mësuesit, mjekët, investimet publike dhe mbështetjen për familjet dhe bizneset.

Hajdari tha se rritja e çmimeve të naftës është pasojë e inflacionit dhe krizave gjeopolitike, dhe pyeti nëse vendi është i gatshëm të shkurtojë shërbimet publike për një masë që nuk garanton ulje reale të çmimeve.

“Po propozohet ulja e TVSH-së ose akcizës, subvencionimi i sektorëve më të ndjeshëm, përfshirë bujqësinë dhe prodhimin, si dhe mbështetje për transportin publik, por pa asnjë plan se si do të kompensohen këto të hyra,” tha Hajdari.

Ajo gjithashtu kritikoi qeveritë e kaluara, duke thënë se keqpërdorimi dhe lidhjet me monopole kishin penguar zhvillimin e tregut të lirë. Me qeverisjen aktuale, sipas saj, janë ndërmarrë hapa konkretë për formalizimin e tregut të naftës, eliminimin e kostove të panevojshme dhe rritjen e transparencës, të cilat kanë efekt real dhe afatgjatë.

PDK dhe AAK mbështesin masat e LDK-së

Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, tha se qytetarët po vuajnë nga çmimet e derivateve dhe Qeveria nuk po merr masa efektive për të mbrojtur standardin e jetesës.

Ai përmendi të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilave parashikimi për rritjen ekonomike për vitin 2026 është vetëm 3.3%, ndërsa inflacioni ka arritur 6% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar.

Hamza tha se çdo masë që ndihmon për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve duhet të përkrahet. “Prandaj, ne e përkrahim çdo masë që shkon në drejtim të përmirësimit të standardit të qytetarëve të Kosovës,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, Besnik Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të AAK, tha se ulja e TVSH-së nga 18% në 8% nuk do të kishte ndikim negativ në buxhetin e shtetit, pasi të hyrat nga taksat janë rritur për shkak të çmimit të lartë të naftës.

Sipas tij, barrën e krizës po e ndiejnë qytetarët, ndërsa Qeveria nuk po ndërmerr veprime konkrete për t’i lehtësuar ata. Tahiri theksoi se aktualisht shteti merr rreth 65 centë për litër naftë nga taksat, ndërsa qytetarët po mbajnë barrën e krizës.

Hoti paralajmëron: Kriza e derivateve do të sjellë çmime më të larta dhe rritje ekonomike më të ulët

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka theksuar se ekonomitë me import të lartë të energjisë preken më shumë nga rritja e çmimeve, dhe Kosova hyn në mesin e këtyre shteteve.

Hoti bëri thirrje që rezoluta e propozuar nga partia e tij për uljen e çmimit të naftës të miratohet sa më shpejt, duke argumentuar se pasojat e krizës tashmë janë evidente dhe do të ndikojnë në ekonomi.

“Pa asnjë dyshim, presim dhe janë analizat e bazuara, që kjo krizë do të rezultojë me çmime më të larta që do stabilizohen në nivele më të larta dhe normalisht me rritje ekonomike më të ulët. Si rezultat të gjitha ekonomitë po i bëjnë përgatitjet e duhura me masat më emergjente qe duhet të ndërmerren në situata të tilla. Pasojat po i shohim gjerësisht”, tha Hoti.

Sipas tij, vetëm në dy ditët e fundit, çmimi i naftës është rritur për 14%, duke theksuar se miratimi i rezolutës së LDK-së do të ndihmojë në zbutjen e pasojave të krizës për qytetarët dhe ekonominë e vendit.

“Mes datës 2 dhe 3 prill, çmimi i naftës është rritë me 14%, çmimi i furnizimit në burim, me 14%”, theksoi deputeti.

Ai kërkoi që Inspektorati i Tregut duhet të aktivizohet plotësisht për të monitoruar tregun për sa po rritet çmimi i furnizimit në baza ditore dhe deri në çfarë mase kjo rritje po bartet te konsumatori.

Ky monitorim duhet të bëhet në raport të detajuar ditor, duke përfshirë informata mbi importuesit, sasitë e importuara, burimet e furnizimit, shpërndarjen në tregun vendor dhe konsumimin e fundit të derivateve.

Hoti kritikoi Qeverinë për masat e pamjaftueshme, duke theksuar se caktimi i marzhës së fitimit lejon bizneseve që çdo rritje në tregjet ndërkombëtare ta bartin plotësisht te konsumatori.

Ai shtoi se ndërhyrjet e tilla mund të përkeqësojnë situatën, sepse disa biznese dalin nga tregu dhe konkurrenca dëmtohet.

Deputeti përmendi tri obligime kryesore të Qeverisë: të mbrojë konsumatorin duke marrë përsipër pjesën e barrës, të parandalojë sjelljet abuzive në treg dhe të punojë ngushtë me bizneset për përballimin e situatës.

Murati: Ulja e akcizës do të kishte efekt të vogël te qytetarët, por humbje të mëdha për shtetin

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar propozimin e opozitës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, duke thënë se kjo masë do të kishte efekt shumë të vogël për qytetarët, por humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.

Murati deklaroi se ulja e akcizës për 16 centë për një familje që shpenzon rreth 50 litra naftë në muaj përkthehet në rreth 8 euro kursim në muaj. Sipas tij, kjo shumë është e vogël për qytetarët, ndërsa për buxhetin e shtetit do të nënkuptonte rreth 10 milionë euro më pak të hyra në muaj.

Ai akuzoi opozitën se këto propozime nuk po bëhen për qytetarët, por për bizneset që, sipas tij, i mbështesin këto parti. Murati kujtoi edhe kohën kur Qeveria kishte filluar shtesat për fëmijë prej 10 euro në muaj, për të cilat, sipas tij, opozita kishte reaguar duke i konsideruar si vitra, ndërsa tani po propozon masa që qytetarëve do t’u kursenin edhe më pak.

E deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e akuzoi Muratin se po bën propagandë. 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com