Home / Lajme / Kosova / Ministrja Rizvanolli përuron investimet në efiçiencën e energjisë në ndërtesat sociale në Obiliq dhe Drenas

Ministrja Rizvanolli përuron investimet në efiçiencën e energjisë në ndërtesat sociale në Obiliq dhe Drenas

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të punimeve në katër ndërtesa shumë-banesore sociale në Obiliq dhe Drenas, në kuadër të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Ndërtesat Shumë-Banesore Sociale”.

Projekti zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian (90%), me bashkëfinancim nga komunat përkatëse (10%).

Ministrja Rizvanolli theksoi se qëllimi i projektit është përmirësimi i kushteve të jetesës për banorët, përmes rritjes së efiçiencës së energjisë dhe uljes së kostove për familjet përfituese.

Nga Obiliqi, ajo bëri të ditur se ndërtesat në fshatin Plemetin kanë arritur një ulje të konsumit të energjisë deri në 73%, falë masave të plota të izolimit të mureve, ndërrimit të dritareve dhe dyerve, izolimit të çatisë, ndriçimit LED me efiçiencë të lartë dhe instalimit të sistemit të ri të ngrohjes. Përveç këtyre, janë realizuar edhe punime për sigurinë dhe funksionalitetin e ndërtesave, përfshirë riparimin e korridoreve, përmirësimin e instalimeve elektrike, sistemin paralel të ujësjellësit, hidroizolimin dhe masat kundër zjarrit.

Në Drenas, investimi prej mbi 380 mijë euro ka përmirësuar drejtpërdrejt kushtet e jetesës për 50 familje, ose rreth 250 qytetarë, duke ulur konsumin e energjisë deri në 82%, që përkthehet në kosto më të ulëta të energjisë.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, Drejtoresha Menaxhuese e FKEE-së, Njomza Hoxha, nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Berat Gashi, dhe Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e investimeve në efiçiencën e energjisë si një hap kyç drejt zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve dhe reduktimit të ndikimit në mjedis.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com