Home / Lajme / Rajoni / Nisin punimet në linjën e re 400 kV ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Nisin punimet në linjën e re 400 kV ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Projekti për interkoneksionin energjetik mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka marrë një shtysë të re, pasi është vendosur gurthemeli për ndërtimin e linjës 400 kV në territorin e Maqedonisë së Veriut, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të një prej projekteve më strategjike në rajon.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Enea Karakaçi, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit energjetik, duke theksuar transformimin nga një sistem i bazuar kryesisht në energjinë hidrike drejt një modeli më të diversifikuar dhe të orientuar nga burimet e ripërtëritshme. Sipas tij, rritja e kapaciteteve dhe diversifikimi i burimeve po e pozicionojnë Shqipërinë si një aktor gjithnjë e më të rëndësishëm në rajon.

Ai nënvizoi se linja 400 kV Elbasan–Bitola përbën një nga investimet më të rëndësishme në infrastrukturën energjetike, duke forcuar ndërlidhjet ndërkufitare dhe duke rritur sigurinë e furnizimit me energji për të dy vendet. Karakaçi bëri të ditur se punimet në territorin shqiptar kanë arritur në rreth 80%, ndërsa nisja e punimeve në Maqedoninë e Veriut përbën një hap kyç drejt finalizimit të projektit, përcjell Energy Monitor.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e cilësoi këtë projekt si më shumë se një investim infrastrukturor, duke theksuar se ai përfaqëson lidhje, stabilitet dhe integrim në familjen energjetike evropiane. Sipas tij, kjo linjë do të mundësojë që vendi të lidhet plotësisht me sistemet elektroenergjetike të të gjitha vendeve fqinje për herë të parë, duke rritur sigurinë për qytetarët dhe stabilitetin për ekonominë.

Ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska, shtoi se projekti do të forcojë rrjetin e transmetimit, do të rrisë kapacitetet dhe do të përmirësojë pozicionin e vendit në tregjet rajonale të energjisë. Ajo e cilësoi këtë zhvillim si një sinjal të rëndësishëm për investitorët dhe një hap konkret drejt tranzicionit të gjelbër.

Projekti përfshin ndërtimin e një linje prej rreth 100 kilometrash nga stacioni transformator “Manastir 2” deri në kufirin me Shqipërinë në Qafë Thanë. Në territorin e Maqedonisë së Veriut parashihet ndërtimi i 97.5 kilometrave linjë me 269 shtylla çeliku, si dhe një stacion i ri transformator pranë Ohrit. Afati i realizimit është 900 ditë dhe financimi sigurohet me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimin Evropian.

Ky interkoneksion konsiderohet pjesë kyçe e Korridorit Energjetik 8 dhe e një korridori më të gjerë Lindje–Perëndim, duke mundësuar shkëmbim më të qëndrueshëm të energjisë, veçanërisht nga burimet e ripërtëritshme, si dhe duke forcuar bashkëpunimin dhe integrimin energjetik rajonal.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com