Home / Lajme / Kosova / Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për çmimet tavan

Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për çmimet tavan

Kabineti i kryeministrit Albin Kurti i ka kaluar të premten projektligjet për çmimet tavan dhe për sigurimet e detyrueshme shëndetësore, të cilat duhet të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për miratim para se të bëhen ligje.

Kjo është një përpjekje e re e Kurtit për t’i fuqizuar këto dy ligje, pasi Gjykata Kushtetuese ia kishte rrëzuar që të dyja gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar.

Projektligji për çmimet tavan, i njohur si projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, vjen po ashtu në një kohë kur rritja e madhe e çmimit të karburanteve në vend ka nxitur frikën për rritje zinxhir të çmimeve, sidomos atyre bazike.

Vetëm brenda pak javësh, çmimi i një litri naftë në pikat e karburanteve në Kosovë ka arritur deri në 1.79 euro, krahasuar me 1.33 euro sa ishte më 3 mars, tri ditë pas nisjes së sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.

Duke folur në mbledhjen e kabinetit të tij për këtë projektligj, Kurti tha: “Po e sjellim për miratim këtë projektligj, i cili vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje që qytetarët tanë e kanë përjetuar: rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave për mbrojtje”.

Projektligji vendos një baraspeshë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për ta mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme, sipas Kurtit.

Ligji për çmimet tavan ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023, kur gjykata kishte theksuar se ai nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, tha gjatë paraqitjes së projektligjit tha se në hartimin e tij e ka marrë parasysh rekomandimet e Kushtetueses.

Ajo tha se projektligji i ri përcakton dy lloje të masave të përkohshme: caktimin e marzhës tregtare për shitje me shumicë dhe pakicë, si dhe caktimin e çmimit maksimal të lejuar për produktet bazë.

Ligji i kaluar, tashmë i shpallur i pavlefshëm, i cilësonte produkte themelore: drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com