Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka sqaruar opinionin publik në lidhje me raportimet në media që pretendonin se bordi i institucionit nuk kishte raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion. Sipas ZRrE-së, këto pretendime janë të pasakta.
Bordi i ZRrE-së bëri të ditur se ka konfirmuar pjesëmarrjen sipas ftesës zyrtare të Komisionit dhe ishte fizikisht i pranishëm në Kuvend, i gatshëm për të raportuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Megjithatë, mbledhja nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm, përcjell Energy Monitor.
ZRrE shpreh keqardhje që disa raportime mediale kanë dhënë informacion të pasaktë dhe kanë krijuar keqkuptime tek publiku lidhur me gatishmërinë e bordit për raportim.
Institucioni thekson se është i përkushtuar ndaj transparencës dhe komunikimit korrekt me publikun dhe fton mediat që të verifikojnë gjithmonë burimet para publikimit të informacionit që lidhet me ZRrE-në.



