Dragusha, ish-ushtrues detyre i drejtorit të prokurimit në KEK, sqaroi procedurat e disa tenderëve të kontestuar, përfshirë projektin për mbikëqyrjen e punimeve në kaldajat B1 dhe B2 të TC “Kosova B”. Ai tha se kërkesa fillestare prej rreth 900 mijë eurosh ishte reduktuar në 700 mijë euro dhe se procedura kishte kaluar nga e hapur në të negociuar.
Sipas tij, përzgjedhja e kompanisë greke “TUV Hellas” si kompani e preferuar ishte bërë nga kryeshefi ekzekutiv i asaj kohe, Nagip Krasniqi. Dragusha deklaroi se nuk është në dijeni nëse dikush ka përfituar kundërligjshëm apo është shkaktuar dëm.
Seanca u ndërpre me kërkesë të mbrojtjes së dëshmitarit bashkëpunues dhe do të vazhdojë më 8 qershor, kur Dragusha pritet të vazhdojë dëshminë.
Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e Prokurorisë Speciale.
Sipas aktakuzës, Krasniqi dhe Dragusha akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në disa procese tenderuese në KEK, përfshirë favorizim të operatorëve ekonomikë, shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik dhe nënshkrim të kontratave të kontestuara që, sipas Prokurorisë, i kanë shkaktuar KEK-ut dëme milionëshe. Krasniqi akuzohet edhe për zbulim të fshehtësisë zyrtare ndaj personave jozyrtarë.



