Home / Lajme / Kosova / Zeka: Kosovës i duhet gazi amerikan për më shumë siguri energjetike dhe konkurrueshmëri ekonomike

Zeka: Kosovës i duhet gazi amerikan për më shumë siguri energjetike dhe konkurrueshmëri ekonomike

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka bërë thirrje që Kosova të shqyrtojë më seriozisht përfshirjen në rrjetet rajonale të gazit natyror të lëngshëm (LNG), duke argumentuar se energjia sot nuk është më vetëm çështje furnizimi, por edhe siguri kombëtare, stabilitet ekonomik dhe politikë strategjike.

Në një opinion të publikuar me titullin “Kur energjia është më shumë se energji: Pse Kosovës i duhet gazi amerikan”, Zeka thekson se zhvillimet globale të viteve të fundit, veçanërisht lufta në Ukrainë, kanë treguar qartë rrezikun e varësisë nga burime të kufizuara energjetike.

“Energjia nuk është më vetëm çështje e gjenerimit dhe e konsumit. Gjithnjë e më shumë, ajo është ndërthurur me çështje më të gjera të politikës së jashtme, sigurisë kombëtare dhe konkurrueshmërisë ekonomike”, shkruan Zeka.

Sipas tij, LNG-ja amerikane është shndërruar në një element kyç të arkitekturës së re energjetike evropiane, jo vetëm si burim energjie, por si instrument strategjik për forcimin e stabilitetit dhe reduktimin e varësive.

Zeka vlerëson se Kosova nuk duhet ta shohë debatin vetëm në prizmin “a i duhet apo jo gazi”, por si pjesë të nevojës për diversifikim më të madh energjetik dhe rritje të fleksibilitetit strategjik.

“Siguria energjetike nuk matet me burimin e vetëm tek i cili mbështetemi sot. Ajo matet me numrin e alternativave që ndërtojmë për të nesërmen”, thekson ai.

Ai rikujton se sektori energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht në linjit, ndërsa kapacitetet ekzistuese po vjetrohen dhe kostot e mirëmbajtjes po rriten. Në të njëjtën kohë, bizneset, sidomos prodhuesit dhe sektorët me konsum të lartë energjetik, po përballen me presion të shtuar nga liberalizimi i tregut dhe luhatjet e çmimeve të energjisë elektrike.

“Për prodhuesit, energjia elektrike nuk paraqet thjesht një shpenzim tjetër operativ. Në shumë industri, ajo përbën një pjesë të konsiderueshme të kostos së përgjithshme të prodhimit”, shkruan Zeka, duke paralajmëruar se kostot e larta po ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë dhe investimet e reja.

Sipas tij, LNG-ja nuk duhet parë si zëvendësim i menjëhershëm për linjitin apo energjinë e ripërtëritshme, por si një komponent tranzitor që mund të rrisë sigurinë e furnizimit dhe të ulë ekspozimin ndaj krizave në tregjet ndërkombëtare.

Ai thekson gjithashtu se infrastruktura e lidhur me gazin ofron më shumë fleksibilitet, afate më të shkurtra implementimi dhe mundësi më të favorshme financimi nga institucionet ndërkombëtare, veçanërisht ato amerikane.

Në opinionin e tij, Zeka përmend edhe zhvillimet rajonale, duke vënë në pah projektet e Shqipërisë lidhur me LNG-në dhe qendrën energjetike të Vlorës, zgjerimin e terminalit në Krk të Kroacisë, si dhe investimet e tjera energjetike në Ballkanin Perëndimor.

“Orientimi drejt një drejtimi të caktuar nuk do të duhej të vinte në kurriz të mundësive të tjera strategjike”, shkruan ai.

Sipas Zekës, nëse rajoni po ndërton korridore të reja energjetike dhe po zgjeron sistemet e furnizimit, atëherë edhe Kosova duhet të sigurojë sa më shumë alternativa për të ardhmen.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com