Home / Lajme / Energjia konvencionale / Riparimet në KEK: Nënshkruhen edhe dy kontrata madhore

Riparimet në KEK: Nënshkruhen edhe dy kontrata madhore

Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar dy kontrata të reja në vlerë totale prej 135,251.60 eurosh për realizimin e punëve që lidhen me mirëmbajtjen dhe funksionimin e pajisjeve në termocentralet e saj.

Të dy kontratat u nënshkruan dje, pas përfundimit të procedurave të hapura të prokurimit, raporton IndeksOnline.

Kontrata me vlerën më të madhe, në shumën prej 111,392 eurosh, i është dhënë kompanisë “ELSAM” nga Ferizaj për projektin “Liferimi dhe montimi i ftohësave të vajit për ventilatorët shtytës në njësitë B1 dhe B2” në termocentralin “Kosova B”.

Për këtë aktivitet ishte parashikuar një vlerë prej 120 mijë eurosh, ndërsa oferta fituese rezultoi rreth 8,600 euro më e ulët se vlera e parashikuar.

Në garë është paraqitur vetëm një ofertë e përgjegjshme.

Ndërkaq, kontrata e dytë në vlerë prej 23,859.60 eurosh është nënshkruar me biznesin individual Ramadan Raçi, për riparimin e lugëve të vogla CAT 216 dhe CAT 226 në termocentralin “Kosova A”.

Edhe në këtë procedurë është pranuar vetëm një tender, i cili është shpallur fitues.

Vlera e kontratës është pak më e ulët se fondi i paraparë prej 24 mijë eurosh.

Sipas dokumenteve të prokurimit, të dy aktivitetet janë financuar nga mjetet vetjake të KEK-ut dhe janë zhvilluar me procedurë të hapur, ku kriter për dhënien e kontratave ka qenë çmimi më i ulët.

Projektet synojnë mirëmbajtjen e pajisjeve operative në termocentralin “Kosova A” dhe “Kosova B”, duke përfshirë riparimin e makinerive ndihmëse dhe zëvendësimin e komponentëve të rëndësishëm për funksionimin e ventilatorëve shtytës në njësitë prodhuese./IndeksOnline

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com