Home / Lajme / Ndërkombëtare / Greqi: Kufizimet e prodhimit dhe çmimet negative ulin deri në 60% të ardhurat nga energjia diellore

Greqi: Kufizimet e prodhimit dhe çmimet negative ulin deri në 60% të ardhurat nga energjia diellore

Sektori i energjisë diellore në Greqi po përballet me presion në rritje financiar, si pasojë e kufizimeve të prodhimit (curtailments) dhe periudhave me çmime negative në tregun shumicë të energjisë elektrike.

Sipas një analize të publikuar nga Balkan Green Energy News, të ardhurat e disa centraleve fotovoltaike kanë rënë deri në 60%, ndërsa humbjet mesatare për projektet më të mëdha arrijnë rreth 50% krahasuar me një vit më parë.

Rënia lidhet kryesisht me rritjen e prodhimit të energjisë diellore gjatë orëve të mesditës, kur kërkesa është më e ulët dhe rrjeti nuk arrin të absorbojë të gjithë sasinë e energjisë së prodhuar.

Si pasojë, operatori i sistemit detyrohet të kufizojë prodhimin e disa centraleve fotovoltaike për të ruajtur stabilitetin e rrjetit, duke ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat e investitorëve.

Problemi është thelluar edhe nga shfaqja gjithnjë e më e shpeshtë e çmimeve zero dhe negative në tregun ditor të energjisë, veçanërisht gjatë periudhave me prodhim të lartë diellor dhe konsum të ulët, si fundjavat dhe festat.

Sipas raportimeve të industrisë, mungesa e kapaciteteve të magazinimit të energjisë (battery storage) dhe ritmi i shpejtë i zgjerimit të kapaciteteve fotovoltaike po krijojnë një disbalancë në sistem, duke rritur presionin mbi rentabilitetin e projekteve ekzistuese dhe atyre të reja, përcjell Energy Monitor.

Ekspertët e sektorit paralajmërojnë se, nëse vazhdon trendi i zgjerimit të energjisë diellore pa kapacitete të mjaftueshme fleksibiliteti dhe magazinimi, tregu mund të përballet me sfida shtesë në stabilitetin financiar të projekteve dhe funksionimin e sistemit elektroenergjetik.

Në të njëjtën kohë, zhvillimi i sistemeve të baterive dhe mekanizmave të fleksibilitetit të rrjetit shihet si një nga zgjidhjet kryesore për të zbutur ndikimin e çmimeve negative dhe kufizimeve të prodhimit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com