Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Zjarr në Tërstenik, ekipet e KEDS-it shmangin katastrofën energjetike

Zjarr në Tërstenik, ekipet e KEDS-it shmangin katastrofën energjetike

Një zjarr i fuqishëm që përfshiu një livadh pranë xhamisë në fshatin Tërstenik të Vitisë pasditen e së enjtes rrezikoi të shkaktojë dëme të mëdha në rrjetin energjetik lokal. Vetëm ndërhyrja e menjëhershme e ekipeve të KEDS-it arriti ta parandalojë këtë skenar.

Flakët ishin afruar rrezikshëm pranë trafos dhe rrjetit të kabllove që furnizojnë zonën me energji elektrike. Sapo u mor njoftimi, ekipet e mirëmbajtjes së KEDS-it u nisën pa vonesë drejt vendngjarjes. Ato arritën ta lokalizojnë zjarrin dhe të pengojnë përhapjen e tij në drejtim të infrastrukturës energjetike, duke shmangur një ndërprerje të mundshme të furnizimit dhe dëme me pasoja afatgjata.

Por reagimi nuk u ndal me kaq. Pasi siguruan trafon dhe kabllot, punonjësit e KEDS-it iu bashkuan forcave zjarrfikëse për të luftuar flakët që kishin përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe kërcënonin të dilnin jashtë kontrollit.

Kompania ka bërë apel të qartë ndaj qytetarëve për të shmangur zjarrvëniet e qëllimshme, një praktikë ende e përhapur gjatë sezonit të verës. “Çdo zjarr i pakontrolluar përbën kërcënim për jetën, pronën dhe asetet strategjike të vendit. Energjia e sigurt është mirëqenia e të gjithëve,” thuhet në reagimin e KEDS-it.

Ngjarja në Tërstenik vë në pah rreziqet që sjellin temperaturat e larta dhe pakujdesia njerëzore, por edhe rëndësinë e reagimit të shpejtë të ekipeve teknike në terren. Falë këtij përkushtimi, banorët e zonës vazhdojnë të furnizohen normalisht me energji elektrike.