Home / Lajme / Kosova / Ymeri: Hetimet ndikuan në uljen e kostove të bartjes ndërkufitare të energjisë

Ymeri: Hetimet ndikuan në uljen e kostove të bartjes ndërkufitare të energjisë

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka akuzuar institucionet energjetike për mungesë transparence në tregun e energjisë elektrike, duke pretenduar se hetimet e nisura në sektor kanë ndikuar në uljen e kostove të kapaciteteve ndërkufitare.

Sipas saj, çmimi i bartjes ndërkufitare të energjisë elektrike për disa kufij rajonalë ka rënë nga rreth 7.5 milionë euro në 2.5 milionë euro, pas nisjes së hetimeve lidhur me tregtinë e energjisë.

“Për të njëjtët kufij, Kosovë–Mali i Zi dhe Kosovë–Maqedoni e Veriut, në vitin 2024 çmimi ka qenë më i ulët, në vitin 2025 është rritur me miratim të ZRrE-së, ndërsa pas nisjes së hetimeve çmimet kanë rënë sërish”, deklaroi Ymeri në EURO n’T7.

Ajo pretendoi se qytetarët kanë paguar energjinë e importuar me çmime deri në 140 euro për megavat-orë, ndërkohë që energjia e blerë nga prodhimi vendor ka kushtuar rreth 29.5 euro për megavat-orë.

Ymeri tha se ulja e kostove të kapaciteteve ndërkufitare përkon me shtimin e vëmendjes ndërkombëtare ndaj tregut energjetik në rajon dhe përmendi rastin e kompanisë EFT të biznesmenit serb Vuk Hamović, e cila është përballur me masa rregullative në vende të rajonit.

Ajo kërkoi hetim të plotë të zhvillimeve në tregun e energjisë dhe më shumë transparencë nga Zyra e Rregullatorit për Energji lidhur me formimin e çmimeve dhe menaxhimin e kapaciteteve ndërkufitare.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com