Home / Lajme / Rajoni / Maqedoni e Veriut: Ministria e Energjetikës do t’i ndihmojë kategoritë në nevojë të paguajnë faturat e rrymës

Maqedoni e Veriut: Ministria e Energjetikës do t’i ndihmojë kategoritë në nevojë të paguajnë faturat e rrymës

Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale ka marrë vendim për mbështetje financiare për familjet me një ose më shumë fëmijë me aftësi të kufizuara, shfrytëzuesit e ndihmës së veçantë financiare dhe vendime për marrjen e mbështetjes financiare për familjet kujdestare, të cilët kujdesen për një deri pesë persona në familjen e tyre.

Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale në Maqedoninë e Veriut ka miratuar masa të reja për mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për familjet që kujdesen për fëmijë me aftësi të kufizuara, shfrytëzuesit e ndihmës së veçantë financiare, si dhe familjet kujdestare që mbajnë nën kujdes një deri në pesë anëtarë.

Sipas Ministrisë, qëllimi i kësaj mbështetje është të lehtësojë barrën financiare të kategorive më të ndjeshme të popullsisë përballë shpenzimeve të energjisë elektrike, duke përmirësuar cilësinë e jetës për këto familje dhe duke garantuar një qasje më të barabartë ndaj burimeve energjetike.

Mbështetja realizohet përmes një protokolli të dakorduar me kompaninë EVN Home, në kuadër të së cilës listat e përfituesve dërgohen çdo muaj nga Ministria te përfaqësuesit e EVN-së, dhe më pas pagesat e mbështetjes kryhen brenda tre ditësh pune. Shuma e ndihmës regjistrohet si “abonim” në sistemin e EVN-së dhe reflektohet në faturën mujore të energjisë elektrike si ulje direkte.

Në rastet kur ndihma tejkalon vlerën e faturës mujore, shuma e mbetur bartet për muajt pasues, derisa të shfrytëzohet plotësisht. EVN Home raporton çdo muaj për numrin dhe vlerën e përfitimeve të aplikuara.

Përmes kësaj mase, Ministria thekson përkushtimin e saj për të ndihmuar familjet më të prekura nga vështirësitë ekonomike dhe për të ndërtuar një sistem energjetik më gjithëpërfshirës dhe të drejtë.