Ministria e Drejtësisë ka nisur punimet për shqyrtimin dhe finalizimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Pronën Publike, me synim krijimin e një kornize më të qartë ligjore për administrimin e pronës publike dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik.
Gjatë hapjes së punëtorisë me përfaqësues të institucioneve përkatëse, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ndryshimet janë të nevojshme për të adresuar sfidat e hasura gjatë zbatimit të ligjit aktual dhe për ta harmonizuar atë me legjislacionin tjetër që rregullon pronën publike.
Sipas saj, synimi është që, përmes një procesi gjithëpërfshirës konsultimi, të përgatitet një draft i qartë dhe funksional, i cili do të procedohet për miratim në Qeveri sa më shpejt, përcjell Energy Monitor.
Gërvalla theksoi se prona publike ka qenë prej vitesh një fushë me sfida të shumta dhe se ndryshimet ligjore synojnë të krijojnë siguri juridike, të mbrojnë interesin publik dhe njëkohësisht të krijojnë kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe investimet.
“Interesi ynë është që, në fund, të kemi një ligj që adreson edhe nevojat e bizneseve që në veprimtarinë e tyre prekin çështjet e pronës publike, por njëkohësisht krijon një ambient ligjor të qartë, të përcaktuar mirë dhe që hap rrugë, e jo ta mbyllë atë”, u shpreh ajo, transmeton Energy Monitor.
Gjatë dy ditëve të punëtorisë, grupi punues do të shqyrtojë komentet e institucioneve pjesëmarrëse, me qëllim harmonizimin e dispozitave dhe finalizimin e projektligjit, i cili synon të krijojë një bazë ligjore më funksionale për administrimin e pronës publike në Kosovë.



