Përshkallëzimi i ri i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po rikthen në qendër të vëmendjes sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe të rrugëve kryesore të furnizimit me naftë dhe gaz në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA mund të zgjerojë listën e objektivave ushtarake duke përfshirë edhe infrastrukturën energjetike të Iranit, nëse Teherani nuk rikthehet në negociata.
“Objektivat energjetike do t’i lëmë për në fund, por në fund do t’i godasim edhe ato”, deklaroi Trump në një intervistë televizive.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur Ushtria amerikane ka ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), operacionet u kryen me dronë, avionë dhe mjete detare, duke goditur pozicione ushtarake, përfshirë sistemet e mbrojtjes bregdetare dhe depot e raketave në ishullin Greater Tunb.
Sipas CENTCOM, qëllimi i operacionit ishte dobësimi i kapaciteteve të Iranit për të kërcënuar anijet tregtare që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA, sipas saj, të ndalojë “aktet e agresionit”. Teherani paralajmëroi gjithashtu se mund të bllokojë edhe rrugë të tjera të rëndësishme për eksportin e naftës dhe gazit që përdoren nga SHBA-ja dhe aleatët e saj.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara njoftuan rikthimin e bllokadës detare ndaj porteve iraniane, duke kufizuar lëvizjen e anijeve drejt dhe nga portet e Iranit. Masa vjen pasi memorandumi i mirëkuptimit për uljen e tensioneve, i arritur muajin e kaluar, nuk ka prodhuar rezultatet e pritshme.
Media shtetërore iraniane raportoi gjithashtu se ushtria iraniane ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave amerikane në Jordani, Kuvajt dhe Bahrein, ndërsa autoritetet e këtyre vendeve thanë se raketat dhe dronët janë interceptuar.
Paralajmërimi për goditje të mundshme ndaj centraleve energjetike dhe kërcënimet për bllokimin e korridoreve të eksportit të naftës dhe gazit shtojnë pasigurinë mbi furnizimin energjetik në rajon, i cili mbetet një nga nyjet më të rëndësishme të tregjeve globale të energjisë.



