Në Shkup është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Kazanxhi Holding, kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, për një investim të madh energjetik me vlerë rreth 1 miliard euro.
Projekti parashikon ndërtimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme, përfshirë parqe diellore dhe impiante për hidrogjen të gjelbër, si pjesë e objektivit për të siguruar pavarësi energjetike.
Kryeministri Talat Xhaferi deklaroi se ky është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt një sektori energjetik më të qëndrueshëm dhe më të sigurt për Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi rëndësinë e orientimit të vendit drejt burimeve të pastra të energjisë dhe bashkëpunimit me kompani ndërkombëtare me përvojë në këtë fushë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Kazanxhi Holding theksuan se vendimi për të investuar në Maqedoninë e Veriut është rezultat i analizave të kujdesshme dhe besimit në potencialin energjetik dhe klimën stabile për investime. Projekti do të zhvillohet në faza, me fokus të veçantë në ndërtimin e infrastrukturës moderne dhe integrimin e saj në rrjetin kombëtar të energjisë.
Sipas qeverisë, ky investim është pjesë e strategjisë kombëtare për tranzicionin energjetik, në përputhje me standardet evropiane dhe objektivat e dekarbonizimit.