Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se periudha e furnizimit të garantuar me energji elektrike për konsumatorët që aktualisht janë të lidhur me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), do të përfundojë më 30 korrik 2025.
Sipas ZRRE-së, ky furnizim i përkohshëm është ofruar për konsumatorët që kanë mbetur pa furnizues komercial dhe nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë. Për ata që kanë filluar të marrin energji nga FMF më 1 qershor, afati ligjor përfundon në fund të muajit korrik.
Autoriteti rregullator ka kërkuar nga të gjithë konsumatorët e prekur që të kontaktojnë sa më shpejt një nga furnizuesit e licencuar në treg dhe të nënshkruajnë kontratë për furnizim afatgjatë. Në të kundërtën, furnizimi me energji elektrike do të ndërpritet automatikisht pas përfundimit të periudhës së garantuar.
KEK paralajmëron: Furnizimi me energji elektrike nga ne për kompanitë në treg të lirë përfundon me 30 korrik, mbeteni pa furnizim me rrymë
ZRRE ka theksuar se ky proces është pjesë e liberalizimit të tregut të energjisë dhe se është duke u zbatuar në përputhje të plotë me ligjin dhe praktikat më të mira rregullatore. Vendimet e institucionit janë konfirmuar edhe nga gjykatat vendore si të ligjshme dhe të bazuara.
Zyra ka ritheksuar përkushtimin e saj për të siguruar një treg të hapur dhe konkurrues për energjinë elektrike, me transparencë të plotë dhe mbrojtje të konsumatorëve në qendër të çdo hapi të ndërmarrë.
Afati 60-ditor për furnizimin nga KEK po përfundon – kompanitë në tregun e lirë duhet të gjejnë furnizues të ri