Home / Lajme / Kosova / Raport: Ballkani Perëndimor drejt “bumit” energjetik, – ku është Kosova!?

Raport: Ballkani Perëndimor drejt “bumit” energjetik, – ku është Kosova!?

Një raport i publikuar nga Aurora Energy Research për herë të parë për Ballkanin Perëndimor vlerëson se dhjetëra miliarda euro mund të hyjnë në rajon përmes investimeve në projekte të energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2040.

Sipas raportit, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – do të kenë nevojë të instalojnë së paku 20 gigavat (GW) kapacitet të ri për të arritur objektivat klimatike dhe për të përmbushur kërkesën gjithnjë në rritje për energji.

Aurora thekson se 65% e këtij kapaciteti të ri pritet të vijë nga burime të ripërtëritshme, kryesisht nga energjia diellore dhe ajo me erë. Potenciali teknik për energji solare në rajon tejkalon 600 GW, ndërsa për energji me erë vlerësohet të jetë mbi 80 GW, duke bërë që Ballkani Perëndimor të shihet si një nga rajonet me mundësi më të mëdha për investitorët e huaj, shkruan Energy Monitor.

Pavarësisht potencialit të lartë, raporti thekson disa sfida strukturore si vonesat në leje, paqartësitë rregullative dhe mungesa e transparencës në proceset e prokurimit. Megjithatë, Aurora sugjeron se reformat e nisura në bashkëpunim me Komunitetin e Energjisë dhe integrimi gradual në tregun e BE-së po krijojnë kushte më të favorshme për investime.

Kosova: Ndër vendet më të ndjeshme dhe me nevojë për transformim të shpejtë

Në raportin e saj, Aurora e përfshin Kosovën si një nga vendet që përballet me sfidat më të mëdha, për shkak të varësisë së lartë nga qymyri, por që njëkohësisht ka edhe mundësi të mëdha për transformim. Kosova ka potencial të konsiderueshëm për zhvillimin e energjisë solare dhe me erë, veçanërisht në zonat fushore dhe ato kodrinore të papërdorura për aktivitete të tjera ekonomike, raporton Energy Monitor.

Raporti thekson se nëse krijohen stimuj të mjaftueshëm për investitorët dhe përmirësohet kuadri rregullativ, Kosova mund të tërheqë projekte që rrisin pavarësinë energjetike dhe kontribuojnë në objektivat e dekarbonizimit. Përveç kësaj, theksohet rëndësia e bashkëpunimit ndërkufitar për tregtinë e energjisë dhe integrimin në tregjet ditore dhe brenda-ditore të BE-së.

Aurora përmend gjithashtu se krijimi i një marrëveshjeje të parë për blerjen e energjisë (MBE/PPA) në Kosovë do të ishte një pikë kthese për të hapur tregun për investime të qëndrueshme afatgjata.

/Energy Monitor