Home / Lajme / Kosova / KEK ndan bonus prej 400 euro për të gjithë të punësuarit

KEK ndan bonus prej 400 euro për të gjithë të punësuarit

Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK Sh.A.) ka miratuar sot një vendim për shpërndarjen e një bonusi prej 400 euro neto për secilin nga punonjësit e saj.

Ky hap është ndërmarrë si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të përmirësuar mirëqenien e stafit dhe për të shpërblyer kontributin e tyre në suksesin e korporatës.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së rregullt të Bordit dhe bazohet në kompetencat statutare të këtij organi, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe praktikat ndërkombëtare të qeverisjes korporative. Bonusët konsiderohen si rezultat i performancës së mirë financiare të KEK-ut gjatë vitit 2024.

Përveç situatës financiare pozitive, në vendimmarrje janë marrë parasysh edhe kërkesat e adresuara nga dy sindikatat aktive brenda KEK-ut – SR-KEK dhe SPEK – të cilat kishin theksuar rëndësinë e mbështetjes financiare për punonjësit, në kuadër të takimeve të tyre të rregullta me menaxhmentin.

KEK ka theksuar se ky vendim është një shenjë konkrete e vlerësimit për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e të punësuarve të saj. Zbatimi i tij do të bëhet nga menaxhmenti ekzekutiv në bashkëpunim me njësitë financiare dhe administrative.