Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë po shihet si problematik nga bizneset, të cilat përballen me sfida të mëdha gjatë këtij tranzicioni.
Dhoma e Tregtisë së Kosovës (DhTK) ka kërkuar ndërhyrjen dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian për të adresuar shqetësimet e bizneseve në lidhje me këtë proces.
Drejtor ekzekutiv i DhTK-së, Kushtrim Ahmeti, ka treguar për Klan Kosovën se një problem shtesë ka lindur edhe me Furnizuesin e Mundësisë së Fundit, duke e përkeqësuar gjendjen për shumë kompani.
Ai konfirmoi se Dhoma e Tregtisë i ka bërë kërkesë qeverisë, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të shtyjnë afatin për liberalizimin e tregut.
Për më tepër, DhTK-ja i është drejtuar edhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Departamentit për Energjia në kuadër të Komisionit Evropian në Bruksel, si dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, për të kërkuar përkrahje dhe zgjidhje.