Shqipëria po përjeton një ndryshim të rëndësishëm në bilancin e saj energjetik, me rritje të prodhimit vendas dhe të eksporteve të energjisë elektrike.
Në tremujorin e dytë të vitit, prodhimi neto vendas arriti në 2,361 GWh, duke u rritur me 34.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Eksportet u rritën me 55.4%, ndërsa importet ranë me 21.5%, duke rezultuar në një bilanc pozitiv prej 422 GWh.
Rritja e prodhimit është ndihmuar edhe nga zgjerimi i energjisë diellore. Sipas ekspertit të energjisë Lorenc Gordani, rreth 19% e prodhimit në tremujorin e dytë erdhi nga energjia fotovoltaike, e cila shënoi rritje prej rreth 55%.
“Kemi kaluar nga një situatë ku importi ishte një nevojë në situatën ku tani kemi një tepricë, pikërisht e cila na lejon të kalojmë edhe në eksport të energjisë”, tha Gordani për Gazeta Tema.
Sipas tij, sfida tani është që ky avantazh të kthehet në vlerë ekonomike të qëndrueshme, ndërsa rritja e prodhimit duhet të shoqërohet me investime në infrastrukturën energjetike, përcjell Energy Monitor.
“Investimet në energji nuk duhet të jenë vetëm investime në megavat të rinj, por duhet të investohet në rrjet, duhet të investohet në matje, në menaxhim, në dixhitalizim, pra në përmirësimin e efiçencës në tërësi”, theksoi ai.
Gordani e sheh si zhvillim pozitiv edhe rritjen e konsumit të energjisë, veçanërisht nëse ajo lidhet me elektrifikimin e industrisë, transportit dhe shërbimeve.
Sipas tij, Shqipëria duhet të fokusohet gjithashtu në forcimin e kuadrit rregullator dhe krijimin e kushteve më të mira për investitorët, si dhe në menaxhimin më efikas të energjisë dhe shitjen e saj në tregjet rajonale në momentet më të favorshme.
Rritja e prodhimit dhe diversifikimi i burimeve, veçanërisht përmes energjisë diellore, po e ndryshojnë gradualisht pozicionin e Shqipërisë në tregun rajonal të energjisë. Sfida mbetet që kjo tepricë të shfrytëzohet në mënyrë sa më efikase dhe të kthehet në përfitim ekonomik.



