Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri, ndryshime në VNM për projektet në zonat e mbrojtura, ngrihen shqetësime për zbatimin

Shqipëri, ndryshime në VNM për projektet në zonat e mbrojtura, ngrihen shqetësime për zbatimin

Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim publik ndryshime në procedurat e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) për projektet që mund të prekin zonat e mbrojtura dhe biodiversitetin.

Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e një procedure të re të quajtur “Vlerësimi i Duhur”, e cila synon të përafrojë procedurat shqiptare me kërkesat e Bashkimit Evropian, veçanërisht me Direktivën për habitatet.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, qëllimi është që projektet që mund të ndikojnë në zona të veçanta të ruajtjes të vlerësohen më qartë përpara se të merren vendimet përkatëse, përcjell Energy Monitor.

Megjithatë, organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si mekanizmi do të zbatohet në praktikë. Sipas ekspertëve, ekziston rreziku që “Vlerësimi i Duhur” të përdoret si një procedurë për të justifikuar projekte të planifikuara ose të miratuara më herët, në vend që të shërbejë si instrument parandalues.

Olsi Nika nga “Eco Albania” tha se mekanizmi nuk duhet të shihet i shkëputur nga kuadri më i gjerë ligjor për zonat e mbrojtura dhe biodiversitetin.

Edhe Qendra Mjedisore EDEN ka ngritur pikëpyetje lidhur me zbatimin juridik dhe territorial të projektaktit. Organizata thekson se Shqipëria ende nuk ka një listë zyrtare të miratuar të zonave të propozuara për rrjetin Natura 2000, çka mund të krijojë paqartësi se në cilat territore do të zbatohet konkretisht procedura e re.

Organizatat kanë kërkuar gjithashtu më shumë transparencë, përfshirë publikimin e raporteve dhe vendimeve që lidhen me “Vlerësimin e Duhur”.

Ndryshimet vijnë në një periudhë kur në Shqipëri vazhdon debati mbi mbrojtjen e zonave natyrore dhe ndikimin e projekteve të zhvillimit mbi mjedisin. Projektakti pritet të shqyrtohet në kuadër të procesit të konsultimit publik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com