Home / Lajme / Kosova / Rafuna: Kërkojmë pezullimin e tregut të lirë të energjisë deri më 1 shkurt

Rafuna: Kërkojmë pezullimin e tregut të lirë të energjisë deri më 1 shkurt

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të pezullojë zbatimin e tregut të lirë të energjisë elektrike për bizneset.

Ai shprehu shqetësimin e madh të komunitetit të biznesit lidhur me ndikimet që po sjell ky proces për konsumatorët johousehold që janë të obliguar të furnizohen përmes tregut të hapur.

Në një konferencë për media, Rafuna theksoi se pasojat e kalimit të bizneseve në tregun e lirë tashmë janë të dukshme dhe serioze. Ai paralajmëroi se rritja e çmimit të energjisë dhe mungesa e konkurrencës reale në treg do të përkeqësojë gjendjen e sektorit prodhues dhe eksportues.

“Pasojat e mosshtyrjes tashmë po vërehen dhe do të jenë pasoja të mëdha që as prodhuesit e as bizneset nuk mund t’i përballojnë. Importi i energjisë është rritur me 12 për qind dhe me ardhjen e muajve të vjeshtës pritet rritje e mëtejshme e çmimeve, që do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kostos së prodhimit dhe humbjen e konkurrueshmërisë,” deklaroi Rafuna.

Ai shtoi se shumë biznese nuk kanë marrë oferta të mjaftueshme nga furnizuesit e licencuar, duke u detyruar të lidhin kontrata në kushte të pafavorshme. Sipas Rafunës, ky proces po zhvillohet pa përgatitjen e nevojshme dhe pa informim të plotë të konsumatorëve të prekur.

“I bëjmë thirrje ZRRE-së ta pezullojë tregun e lirë për bizneset deri më 1 shkurt. Vendimi aktual nuk shkon në favor të sektorit privat dhe është rezultat i mungesës së përgjegjësisë institucionale. Ne do të ndërmarrim hapa ligjorë për ta kundërshtuar këtë qasje dhe për të mbrojtur interesin e bizneseve,” tha ai.

Rafuna nënvizoi se qëllimi nuk është të pengohet tregu i lirë, por të sigurohet që bizneset të hyjnë në të me kushte të barabarta dhe në një ambient të konkurrencës reale. Ai shtoi se shpreson që edhe Kuvendi i Kosovës do të angazhohet në këtë çështje dhe të shqyrtojë mundësinë e pezullimit të përkohshëm për të siguruar një kalim të drejtë dhe të qëndrueshëm në tregun e hapur.

“Edhe 5 ditë afat” – Organizatat e biznesit në alarm: ZRrE po rrezikon ekonominë me vendime të ngutura

Tregu i lirë energjetik, Dhoma e Tregtisë i drejtohet edhe Komunitetit të Energjisë

Bizneset alarmojnë për falimentim nëse s’shtyhet afati për dalje në treg të hapur të energjisë