Kompania Enlight Renewable Energy ka siguruar 310 milionë dollarë për të zgjeruar fermën e erës Gecama në Spanjë dhe për ta transformuar në kompleksin më të madh hibrid në vend, që do të kombinojë prodhimin nga era, energjia diellore dhe ruajtja e energjisë me bateri.
Aktualisht, Gecama ka një kapacitet prej 329 megavatësh, ndërsa pas përfundimit të projektit në vitin 2026, do të arrijë një kapacitet të kombinuar prej 554 megavatësh.
Financimi do të përdoret për të rifinancuar projektin ekzistues të erës dhe për të ndërtuar pjesën diellore dhe sistemin e ruajtjes me bateri me kapacitet prej 220 megavat orësh. Përbërësit e rinj pritet të kenë një ndikim të ndjeshëm në stabilitetin e rrjetit, duke lehtësuar furnizimin me energji të vazhdueshme dhe duke rritur përfitimin financiar të kompleksit, veçanërisht në tregun e lirë të energjisë ku operon projekti.
Pjesa më e madhe e investimit, rreth 150 milionë dollarë, do të përdoret për ndërtimin e komponentëve të rinj. Pjesa tjetër do të mbulohet nga kapitali i kompanisë. Enlight synon që vetëm nga zgjerimi të gjenerojë deri në 40 milionë dollarë të ardhura dhe mbi 30 milionë dollarë EBITDA në vitin e parë të funksionimit të plotë. Pas përfundimit të plotë, kompleksi do të prodhojë të ardhura vjetore deri në 105 milionë dollarë.
Gecama do të përfshijë edhe një sistem ruajtjeje të energjisë në shkallë të gjerë, i cili do të ndihmojë në menaxhimin e fluksit të energjisë dhe në ofrimin e shërbimeve të balancimit dhe stabilitetit të rrjetit. Kjo është me rëndësi të veçantë për Spanjën, e cila kohët e fundit është përballur me ndërprerje të mëdha të energjisë.
Enlight është një nga zhvilluesit më aktivë të projekteve të energjisë së ripërtëritshme në Evropë dhe Lindjen e Mesme.
Në Kosovë, kompania është njohur për përfshirjen e saj në zhvillimin e Parkut të Erës në Selac ndërsa tani operon dhe ka në pronësi këtë projekt.
Projekti në Selac, me kapacitet të instaluar prej 105 megavatësh, është aktualisht parku më i madh i erës në vend dhe përfaqëson një prej investimeve më të mëdha private në sektorin energjetik të Kosovës.
Ky projekt në Spanjë dhe përvoja e mëparshme në Kosovë e pozicionojnë Enlight si një nga aktorët më të fuqishëm në tranzicionin energjetik në Evropën Juglindore dhe më gjerë.