Sot është hapur aplikimi për subvencionimin e faturave të rrymës për familjet e cenueshme në kuadër të Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cënueshëm të Energjisë Elektrike, për çka Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 milionë euro.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka përcaktuar kriteret se kush mund të përfitojë nga ky program, ku kriter kryesor janë të hyrat mesatare, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas vendimit të Ministrisë, për të përfituar nga ky vendim familjet duhet të plotësojnë këto kritere:
- Të gjithë anëtarët e Ekonomisë Familjare të jenë shtetas të Republikës së Kosovës me banim të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës ose shtetas të huaj të pajisur me leje të qëndrimit të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës.
- Të hyrat mesatare mujore për një periudhë prej 12-të muajve të fundit të Ekonomisë Familjare, të jenë të barabarta ose më pak se njëqind e pesëdhjetë euro (150 €) për anëtar të Ekonomisë Familjare.
- Si pjesë e të ardhurave të ekonomisë familjare, përfshihen dhe kalkulohet 1/4 e të hyra apo qarkullimit nga veprimtaritë biznesore apo vetëpunësimi të anëtarëve të Ekonomisë Familjare, për 12-të muajt fundit.
- Vlera kumulative e patundshmërive (testi i aseteve) në pronësi të të gjithë anëtarëve të Ekonomisë Familjare të jetë e barabartë ose më pak se njëqind mijë euro (100,000.00 €).
- Përjashtimisht pikës 11 të këtij Vendimi, për të gjitha Ekonomitë Familjare të cilat jetojnë me qira, totalit të të hyrave mesatare mujore i zbritet shuma e qirasë mujore, por jo më shumë se pesëdhjetë për qind (50%) e totalit të të hyrave mesatare mujore. Aplikuesi duhet të ofrojë dëshmi për qira që mund të jetë kontrata e qirasë apo transfer nga transaksionet bankare të qirasë.
Të hyrat mujore sipas programit dhe vendimit konsiderohen të gjitha të ardhurat mujore të ekonomisë familjare me përjashtim të pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, kompensimit për personat e verbër, pensioneve për invalidët në punë, kompensimit për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, kompensimit për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara, pensionet për invalidët e luftës, invalid civil, pensionet e familjes së dëshmorit të UÇK-së dhe familjet e të zhdukurve të UÇK-së, pensionet e familjeve të viktimave civile, asistenca sociale si dhe përfitimet nga Pilotimi Skemës se Asistencës Sociale.

Aplikimi për të përfituar nga ky program bëhet në mënyrë elektronike përmes platformës e-Kosova. Në vendim theksohet se aplikimi bëhet nga njëri anëtar i familjes dhe bëhet vetëm për një njehsor elektrik.
“Ekonomitë Familjare të cilat kanë aplikuar dhe kanë përfituar nga programi i subvencionimit të vitit të kaluar, po ashtu duhet të aplikojnë në platformën E-Kosova nëse vlerësojnë se plotësojnë kriteret sipas programit aktual dhe Vendimit të MPFVLC”, thuhet në vendim.

Si do të përllogaritet subvencioni?
Bazuar në vendimin e Ministrisë, sasia e energjisë e cila mund të subvencionohet për ndahet në tri (3) kategori, varësisht prej mesatares së të hyrave mujore të ekonomisë familjare për anëtar, përcjell Buletini Ekonomik.
Për familjet të cilat kanë të hyra mesatare mujore nga zero euro deri pesëdhjetë euro për anëtar, u takon subvencioni maksimal deri në 150 kWh/muaj për anëtar.
Për familjet të cilat kanë të hyra mesatare mujore nga pesëdhjetë euro deri 100 euro për anëtar, u takon subvencioni maksimal deri në 100 kWh/muaj për anëtar.
Për familjet të cilat kanë të hyra mesatare mujore nga 100 euro deri njëqind e 150 euro për anëtar, u takon subvencioni maksimal deri në 50 kWh/muaj për anëtar.
“Vlera e subvencionit për faturën e energjisë elektrike për një ekonomi familjare (EF) do të jetë minimale pesë (5) euro, ndërsa shuma maksimale do të jetë pesëdhjetë (50) euro në muaj. Në rast se vlera e faturës së energjisë elektrike për muajin përkatës është më e ulët se pesë (5) euro familja nuk do të subvencionohet për atë muaj. Në rastet kur vlera e faturës së energjisë elektrike për muajin përkatës është më e ulët se 50 (pesëdhjetë) euro, subvencioni caktohet në shumën e faturës së faturuar për muajin përkatës”, sqarohet në vendim.

Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike ka shtrirje kohore prej gjashtë muaj dhe mbulon periudhën e subvencionimit në periudhën Tetor-Dhjetor 2026 dhe Janar-Mars 2027.
“ Me qëllim që të shmangen ndërprerjet e mundshme të energjisë elektrike gjatë sezonit dimëror kur edhe shpenzimi i energjisë elektrike nga Ekonomitë Familjare është më i lartë për shkak të ngrohjes, në kuadër të Marrëveshjes në mes MPFVLC dhe FShU do të rregullohen dhe përcaktohen edhe këto çështje”, parashihet me vendim.
/Buletini Ekonomik



