Avokatja Blinera Osmani, në emisionin “Click” të RTV21, bëri të ditur se i është drejtuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) me kërkesë zyrtare për të ndalur ekzekutimin e vendimit për ndërprerjen e energjisë elektrike ndaj bizneseve që nuk kanë nënshkruar kontrata në tregun e lirë.
Ajo theksoi se vendimet gjyqësore dhe aktgjykimet janë të detyrueshme për të gjitha palët në procedurë, dhe moszbatimi i tyre mund të përbëjë vepër penale.
“Ne i jemi drejtuar zyrtarisht ZRRE-së, duke e njoftuar me aktgjykimin e Gjykatës Komerciale dhe me masën pezulluese, dhe kemi kërkuar që të ndalet ekzekutimi i vendimit për ndërprerjen e energjisë për konsumatorët që nuk kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshje me ndonjë operator apo furnizues në tregun e lirë. Vendimet gjyqësore dhe aktgjykimet janë të detyrueshme për të gjitha palët në procedurë dhe moszbatimi i tyre mund të përbëjë vepër penale. I bëjmë thirrje ZRRE-së që të mos e ekzekutojë vendimin për ndërprerjen e energjisë elektrike,” tha Osmani.
Ajo tutje tha se nëse ZRRE, nuk do e implementoj vendimin e GJykatës, ”do t’i drejtohemi të gjitha autoriteve përkatëse”.
”Gjykata vendosi”, Osmani: Bizneset nuk guxojnë të privohen nga energjia sot pas orës 00:00
Avokatja Blinera Osmani, në ”Click” të RTV21 tha se i gjithë procesi i kalimit në tregun e lirë të energjisë ka qenë i paqartë dhe i ngarkuar me veprime të njëpasnjëshme që kanë krijuar konfuzion te bizneset.
Ajo e mirëpriti aktgjykimin e fundit të Gjykatës Komerciale, duke e cilësuar si mbrojtje për bizneset dhe theksoi se pas këtij vendimi, nuk duhet të ketë asnjë ndërprerje të energjisë elektrike për konsumatorët, pas orës 00:00.
“I gjithë procesi nuk ka qenë i qartë – ka qenë i ngarkuar me ngjarje të njëpasnjëshme. Fillimisht kemi dorëzuar paditë, ndërsa më pas situata ka ndryshuar vazhdimisht, duke krijuar paqartësi te bizneset. Aktgjykimi i sotëm është një vendim i mirëpritur që i mbron bizneset. Pas këtij vendimi, nuk do të duhej të kemi asnjë problem apo privim nga energjia elektrike, sot pas orës 00:00,” tha Osmani.
“Treg i lirë”, Osmani: ZRRE duhet të nisë fushatë vetëdijësuese
Avokatja Blinera Osmani në ”Click” të RTV21 shpjegon afatet ligjore dhe procesin e ardhshëm në lidhje me ankesën ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Sipas saj, ZRRE ka 15 ditë kohë për të dorëzuar ankesën e saj, ndërsa Gjykata Komerciale është në pushim deri në fund të gushtit, kur pritet të fillojë trajtimi i të gjitha ankesave të paraqitura.
“Deri në fund të vitit do të kemi një epilog përfundimtar të çështjes, bizneset do të kenë kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar ofertat nga furnizuesit e tjerë. Ne konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që ZRRE të ketë një fushatë vendijësuese për të gjitha kompanitë dhe të bëjë thirrje për operatorët, në mënyrë që të kemi një treg të lirë,” tha avokatja Osmani.
Avokatja Osmani konfirmon pezullimin e njoftimit të ZRRE-së nga Gjykata Komerciale
Avokatja Blinera Osmani, në emisionin “Click” të RTV21, bëri të ditur se Gjykata Komerciale e Kosovës, në Dhomat e Shkallës së Parë, ka marrë vendim për të pezulluar vendimin dhe njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) lidhur me daljen në treg të lirë për bizneset.
“Sot kemi pranuar aktgjykimin e Gjykatës Komerciale, e cila ka pranuar ankesën tonë dhe ka trajtuar si të paligjshëm vendimin dhe njoftimin e ZRRE-së. Gjykata ka vendosur pezullimin e tyre deri në një vendim përfundimtar,” tha avokatja Osmani.