Shqipëria pritet të ketë parkun e parë komercial të energjisë së erës në Spille të Rrogozhinës, pas nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare me kompaninë austriake VERBUND. Projekti me kapacitet të instaluar prej 72.6 megavatësh pritet të nisë operimin komercial në tremujorin e parë të vitit 2028.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë i Shqipërisë, Enea Karakaçi, njoftoi më 29 tetor se projekti i ka siguruar lejet dhe ka përmbushur kushtet e nevojshme për nisjen e punimeve. Me këtë rast është nënshkruar edhe marrëveshja për shitblerjen e energjisë elektrike.
Parku në Spille është projekti i parë nga tri projektet e përzgjedhura në ankandin e parë të Shqipërisë për energjinë e erës që ka plotësuar të gjitha kushtet për të nisur ndërtimin.
Sipas Karakaçit, investimi do të ndihmojë në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike dhe në uljen e varësisë së sistemit energjetik nga kushtet klimatike dhe luhatjet e prodhimit nga hidrocentralet, të cilat dominojnë sektorin energjetik shqiptar, përcjell Energy Monitor.
Projekti pritet të sjellë përfitime edhe për ekonominë lokale të Rrogozhinës, përmes ndërtimit të rrugëve të qasjes dhe angazhimit të bizneseve vendore si nënkontraktorë.
VERBUND, kompani austriake e energjisë, është e pranishme në Shqipëri edhe në sektorin hidroenergjetik, përmes projektit të hidrocentralit të Ashtës.
Karakaçi bëri të ditur gjithashtu se qeveria shqiptare po përgatit ankande të reja për energjinë e ripërtëritshme. Sipas tij, në janar të vitit 2027 pritet të shpallen kapacitete të reja për energjinë fotovoltaike dhe sistemet e baterive.



