Home / Lajme / Tjera / Balkan Green Ideas 2026 hapet në Prizren, 20 mijë dollarë ndahen për idetë e gjelbra

Balkan Green Ideas 2026 hapet në Prizren, 20 mijë dollarë ndahen për idetë e gjelbra

Edicioni i 15-të i programit rajonal Balkan Green Ideas (BGI) do të hapet më 3 nëntor në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe organizatave që mbështesin ndërmarrësinë e gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, do të mbajë fjalimin kryesor në hapje, ndërsa Nermin Mahmuti, drejtoreshë ekzekutive e Fondit për Zhvillim të Komunitetit (CDF), dhe Dardan Sejdiu, drejtor ekzekutiv i Balkan Green Foundation, do të mbajnë fjalimet hyrëse.

Gara rajonale do të zhvillohet nga 3 deri më 5 nëntor dhe do të mbledhë ide biznesi dhe ndërmarrje të vogla që synojnë të ndërthurin qëndrueshmërinë ekonomike me ndikimin pozitiv në mjedis dhe komunitet. Sipas organizatorëve, pjesëmarrësit vijnë nga gjashtë vende të rajonit, me nga tri ide të përzgjedhura për secilin vend, njofton Energy Monitor.

Fondi i përgjithshëm i çmimeve për këtë edicion është 20 mijë dollarë. Një çmim prej 10 mijë dollarësh do t’i ndahet idesë më të mirë në kategorinë e ideve të avancuara, ndërsa dy çmime nga 5 mijë dollarë do të ndahen për idetë në fazën konceptuale.

Programi synon të mbështesë iniciativa që shfrytëzojnë burimet lokale, zhvillojnë modele të qëndrueshme biznesi dhe kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve. Fushat e mundshme përfshijnë ekonominë qarkore, bujqësinë e qëndrueshme, energjinë e ripërtëritshme dhe zgjidhjet që ndihmojnë në uljen e mbeturinave dhe ndotjes, përcjell Energy Monitor.

Balkan Green Ideas koordinohet nga Balkan Green Foundation, në bashkëpunim me organizata partnere në vendet pjesëmarrëse. Edicioni i sivjetmë mbështetet përmes projektit “Green Horizons – Community Engagement through Advancing Sustainable Energy”, të zbatuar në kuadër të projektit EECSOK nga Fondi për Zhvillim të Komunitetit dhe të financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida).

Gara rajonale mbështetet gjithashtu nga Agjencia për Financim në Kosovë dhe kompania Rugove.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com