RIT Kosovo ka organizuar një ligjëratë me ekspertin e lartë të energjisë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Arben Kllokoqi, ku janë diskutuar politikat energjetike evropiane, reformat e tregjeve të energjisë elektrike dhe ndikimi i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane në sektorin energjetik.
Kllokoqi, i cili ka rreth 20 vjet përvojë në sektorin e energjisë, përfshirë angazhimin në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Federatën Evropiane të Tregtarëve të Energjisë (EFET) dhe kompaninë EDF Trading në Londër, ndau me studentët përvojën e tij mbi zhvillimet rregullative dhe transformimin e tregjeve evropiane të energjisë, përcjell Energy Monitor.
Ligjërata bashkoi studentë nga tri lëndë akademike: Politikat Energjetike, të ligjëruar nga Dr. Ariana Qosaj Mustafa; Bazat e Politikave Publike, të ligjëruar nga Dr. Arlinda Arenliu; si dhe Energjia dhe Mjedisi, të ligjëruar nga Burim Hashani.
Diskutimi u përqendrua në funksionimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, zbatimin e politikave të Bashkimit Evropian, zhvillimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe reformat rregullative që po ndikojnë në sektorin energjetik evropian.
Për studentët, takimi krijoi mundësi për të ndërlidhur temat e trajtuara në ligjërata me zhvillimet konkrete në tregjet e energjisë, duke përfshirë sfidat e tranzicionit të gjelbër dhe ndryshimet në politikat publike dhe rregullimin e sektorit.
Kjo nuk është hera e parë që RIT Kosovo organizon ligjërata me ekspertë të Komunitetit të Energjisë. Në nëntor të vitit 2025, Kllokoqi kishte mbajtur një ligjëratë në këtë institucion, ku kishte diskutuar gjithashtu për tregjet e energjisë, reformat evropiane dhe tranzicionin e gjelbër.
Zhvillimet e fundit në Kosovë përfshijnë edhe reformimin e kornizës ligjore për tregun e energjisë elektrike, me synimin e përafrimit të rregullave vendore me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë luan rol në mbështetjen e vendeve të rajonit për harmonizimin e legjislacionit dhe integrimin gradual në tregun e përbashkët evropian të energjisë.



