Konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike (COP31), e mbajtur në Antalia të Turqisë, ka përfunduar pa një marrëveshje të re madhore, duke nxjerrë në pah përçarjet e thella globale mbi përdorimin e lëndëve djegëse fosile dhe financimin për vendet në zhvillim, njofton BBC.
Negociatat, të cilat duhej të mbylleshin të premten, zgjatën deri vonë të dielën në kërkim të një kompromisi, duke u shënuar kështu si konferenca më e gjatë e OKB-së për klimën në histori.
Megjithatë, drafti përfundimtar rezultoi i papranueshëm për Bashkimin Evropian dhe vendet ishullore të Paqësorit, pasi në tekst nuk përmendeshin drejtpërdrejt lëndët djegëse fosile, shkaktari kryesor i ngrohjes globale.
Paralelisht, vendet më të varfra kundërshtuan mungesën e angazhimeve të qarta financiare nga shtetet e pasura për t’i ndihmuar të përballojnë pasojat e ndryshimeve klimatike. Hera e fundit që një samit i madh i COP-it dështoi në këtë mënyrë ishte në Kopenhagen, në vitin 2009.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në samitin e tij të fundit përpara largimit nga detyra, u shpreh “thellësisht i zhgënjyer” dhe sulmoi ashpër “interesat e fuqishme të lëndëve djegëse fosile”, duke i akuzuar se po ndjekin taktikat e dikurshme të industrisë së duhanit: “duke shtrembëruar shkencën, duke vonuar politikat, duke bllokuar veprimet dhe duke grumbulluar fitime marramendëse, ndërsa njerëzit kudo në botë paguajnë çmimin”.
Kryeministri australian Anthony Albanese, vendi i të cilit bashkëorganizoi bisedimet, ia atribuoi dështimin “kohërave të vështira gjeopolitike”, ndërsa presidenti i negociatave të COP31, ministri australian Chris Bowen, deklaroi se kishte “vija të kuqe të pakapërcyeshme” në mjedisin më të tensionuar gjeopolitik të dekadave të fundit.
Edhe ish-nënpresidenti i SHBA-së dhe aktivisti i njohur për klimën, Al Gore, reagoi ashpër në rrjetin social X, duke e cilësuar “të tmerrshme që një grusht shtetesh petro-energjetike kanë të drejtë vetoje mbi çdo përmendje të lëndëve djegëse fosile” dhe bëri thirrje për reformim rrënjësor të procesit të COP-it.
Ndërsa një draft i parë i marrëveshjes i përmendte lëndët djegëse fosile gjashtë herë, ky formulim u bllokua nga vendet prodhuese të naftës, duke bërë që në tekstin e së dielës të hiqej çdo referencë e drejtpërdrejtë për qymyrin, naftën dhe gazin.
Qëndrimi i BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar: Përfaqësuesi i BE-së, ministri irlandez Darragh O’Brien, kundërshtoi “fortësisht” tekstin, duke thënë se “është e paarsyeshme të kemi një pakt klimatik që nuk përmend lëndët djegëse fosile”.
Edhe Sekretarja britanike e Energjisë, Miatta Fahnbulleh, e quajti rezultatin “jashtëzakonisht zhgënjyes”.
Qëndrimi i Arabisë Saudite dhe Rusisë: Delegati saudit Mohammad Ayoub argumentoi se vendet arabe përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të emetimeve historike, ndërsa Rusia paralajmëroi kundër “sloganeve” për largim të shpejtë nga karburantet fosile, duke pretenduar se kjo do të shkaktonte “varfëri energjetike”.
Një tjetër pikë e nxehtë ngërçi mbeti financimi për vendet e varfra.
Ndonëse vitin e kaluar në COP30 në Brazil vendet ranë dakord ta trefishonin këtë fond, dokumenti i Antalias nuk përmbante asnjë shifër konkrete.
“Kombet e pasura dhe qeveritë ndotëse nuk mund të vazhdojnë të vijnë duarbosh”, deklaroi Mohamed Adow nga organizata Power Shift Africa.



