Home / Lajme / Mjedisi / Kosova në COP31: Pacolli prezanton prioritetet klimatike, kërkon qasje në fondet e OKB-së dhe nënshkruan marrëveshje për natyrën

Kosova në COP31: Pacolli prezanton prioritetet klimatike, kërkon qasje në fondet e OKB-së dhe nënshkruan marrëveshje për natyrën

Kosova u përfaqësua në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), të mbajtur në Antalia të Turqisë, përmes ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila gjatë qëndrimit zhvilloi takime me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve turke.

Një ndër çështjet kryesore të ngritura nga Pacolli ishte mungesa e qasjes së Kosovës në fondet klimatike të Kombeve të Bashkuara. Në takimin me Eric Usher, udhëheqës i Iniciativës Financiare të Programit të OKB-së për Mjedisin (UNEP FI), ministrja prezantoi prioritetet e ministrisë në fushën e ndryshimeve klimatike dhe Portofolin e Investimeve të Gjelbra të Kosovës, njofton Energy Monitor.

Ky portofol përfshin projekte në sektorët e energjisë, menaxhimit të mbeturinave, ujit dhe natyrës. Sipas njoftimit të ministrisë, bashkëpunimi me UNEP FI mund të krijojë mundësi të reja për financimin e projekteve të gjelbra, në një kohë kur Kosova ende nuk ka qasje në fondet klimatike të OKB-së.

Në kuadër të konferencës, Pacolli u takua edhe me ministrin e Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë, İbrahim Yumaklı, me të cilin diskutoi për një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim teknik në fushën e burimeve ujore, infrastrukturës së digave dhe menaxhimit të lumenjve.

Siguria ujore u identifikua si një ndër prioritetet e ministrisë, ndërsa Pacolli bëri të ditur se Kosova po planifikon ndërtimin e pesë digave strategjike. Në këtë drejtim, Turqia mund të ofrojë mbështetje teknike, duke u bazuar në përvojën e saj në ndërtimin dhe menaxhimin e digave të mëdha.

Një tjetër zhvillim gjatë COP31 ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Marrëveshja, e nënshkruar nga Pacolli dhe përfaqësuesi i organizatës, Oliver Avramoski, synon forcimin e bashkëpunimit për mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit dhe avancimin e zonave të mbrojtura në Kosovë, përcjell Energy Monitor.

Gjatë takimit u diskutua për punën e ministrisë në 15 zonat e mbrojtura në vend, si dhe për mundësitë e mbështetjes profesionale dhe financiare përmes partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Suedinë dhe Gjermaninë.

Pas përfundimit të qëndrimit në Antalia, Pacolli tha se delegacioni i Kosovës zhvilloi disa ditë takime bilaterale, shkëmbim përvojash dhe kontakte me përfaqësues të shteteve të ndryshme.

Ajo falënderoi GIZ-in gjerman, LuxDev-in dhe Shqipërinë për mundësimin e pjesëmarrjes së Kosovës në takime dhe tryeza ndërkombëtare, duke vlerësuar se vendi arriti të përfaqësohej dhe të ishte i pranishëm në diskutimet për klimën.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com