Aleanca Qytetare për Vlorën ka njoftuar zhvillimin e një proteste më 6 gusht përpara prefekturës së qytetit, duke kërkuar largimin e dy termocentraleve lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 3” nga Gjiri i Vlorës.
Termocentralet ndodhen në gjirin e qytetit prej më shumë se një viti dhe, sipas organizatorëve, nuk kanë kontribuar në mënyrë të qëndrueshme në prodhimin e energjisë elektrike.
Aleanca e cilëson prezencën e këtyre anijeve si një barrë ekonomike dhe mjedisore për qytetin dhe vendin. Sipas saj, anijet funksionojnë në mënyrë sporadike, duke djegur mazut dhe duke shkaktuar ndotje, ndërkohë që shteti paguan mbi 90 mijë dollarë në ditë për mbajtjen e tyre në operim të pjesshëm ose të papërdorur.
Gjithashtu, është ngritur shqetësimi se kostoja e prodhimit të energjisë nga këto TEC-e është disa herë më e lartë se çmimi mesatar i energjisë në tregun ndërkombëtar, çka i sjell dëme financiare kompanisë publike të energjisë KESH dhe për rrjedhojë, buxhetit të shtetit.
Protestuesit paralajmërojnë se në mungesë reagimi nga autoritetet, janë të gatshëm të organizojnë marshime drejt anijeve për të kërkuar largimin e tyre përfundimtar nga gjiri. Sipas tyre, prania e TEC-eve lundruese dëmton jo vetëm ekonominë, por edhe imazhin turistik të Vlorës dhe të bregdetit shqiptar në tërësi.