Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e cila ka ndryshuar masën e sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 275/24 të datës 5 prill 2024 dhe njoftimit të datës 12 mars 2025 të nxjerrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
OEK ka bërë të ditur se, ndonëse nuk e komenton vendimin, do të vazhdojë procesin ligjor duke shfrytëzuar mjetet tjera ligjore në dispozicion dhe brenda afateve të përcaktuara. Institucioni ka premtuar se do të njoftojë me kohë të gjithë anëtarët për zhvillimet e ardhshme.
Në reagim, OEK ka kërkuar nga ZRrE që të mos ndërmarrë veprime që, sipas saj, do të dëmtonin më tej bizneset, të cilat tashmë janë prekur nga vendimet e rregullatorit. Sipas Odës, këto vendime kanë ndikuar negativisht në ekonominë e vendit dhe kanë rritur koston e jetesës për qytetarët.
OEK ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të zhvillojë konsultime me bizneset anëtare për të përcaktuar hapat e mëtejshëm.