Home / Lajme / Kosova / Pas vendimit të Gjykatës Komerciale, ZRRE fton konsumatorët komercial të veprojnë pa vonesë

Pas vendimit të Gjykatës Komerciale, ZRRE fton konsumatorët komercial të veprojnë pa vonesë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka marrë sot nga Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë aktvendimin lidhur me masën e sigurisë për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Sipas vendimit, ankesa e ZRRE-së u aprovu dhe pika IV e aktgjykimit të mëparshëm u ndryshua, duke refuzuar padinë për shtyrjen e liberalizimit të tregut.

ZRRE thekson se procesi i liberalizimit është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale. Ligjshmëria e këtij procesi është konfirmuar nga gjykatat kompetente, së fundi edhe nga Gjykata Komerciale – Dhoma Shkalla e Dytë, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë sipas ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës.

ZRRE u bën thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe ende nuk kanë lidhur kontratë furnizimi me energji elektrike, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar. Nga data 16 gusht 2025, konsumatorët komercialë që nuk nënshkruajnë kontratë me një furnizues të licencuar do të ndërpriten nga rrjeti energjetik.

ZRRE konfirmon përkushtimin e saj për të garantuar një treg energjie të drejtë, funksional dhe konkurrues, në shërbim të konsumatorëve dhe në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet evropiane.