Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë ka nisur procedurat për dhënien e licencës për prodhim të energjisë nga një impiant i ri fotovoltaik me kapacitet prej 35.6 MW. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Bordit të këtij institucioni më 12 gusht 2025 dhe synon të lehtësojë avancimin e zhvillimit të sektorit energjetik përmes burimeve të ripërtëritshme.
Centrali që do të licencohet është në pronësi të kompanisë “Infotelecom-Albsolar 4” shpk, e cila synon ta ndërtojë në rrugën “Gjorica e Poshtme”, në Njësinë Administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër.
Sipas të dhënave të Entit Rregullator, deri në fund të korrikut janë licencuar 13 subjekte për prodhimin e energjisë nga dielli, ku shumica janë impiante me kapacitete deri në 2 MW. Në total, kapaciteti i projekteve të licencuara për prodhim tejkalon tashmë 125 MW.
Më i madhi deri tani është projekti i kompanisë “Sunny Side Energy” me kapacitet prej 100 MW për ndërtim në Darzëz, Fier, që aktualisht ka përfunduar fazën e licencimit për prodhim.
Sipas Monitor, Enti Rregullator ka dhënë gjithsej 65 licenca që nga nisja e projekteve fotovoltaike në Shqipëri, që datojnë nga projekti i parë i realizuar nga Ujësjellësi i Korçës disa vite më parë. Interesi ka nisur rreth vitit 2017 me miratimin e kuadrit ligjor për burimet e ripërtëritshme dhe është shtuar ndjeshëm që nga kriza energjetike e viteve 2021–2022.
Megjithatë, shumica e projekteve aktuale janë ende në fazën e pre-licencimit ose të propozimeve të ndryshme, pa punime konkrete në terren. Impiantet e vogla dominojnë, ndërsa më i madhi që është vënë në funksion është ai i Karavastës, i realizuar përmes ankandit shtetëror nga Voltalia, i cili nisi prodhimin gjatë vitit 2024.
Shqipëria po përpiqet të ulë gradualisht varësinë e lartë nga hidrocentralet, duke diversifikuar burimet e energjisë drejt diellit dhe erës, për të ulur rrezikun nga periudhat hidrike të pafavorshme dhe për të rritur mundësitë e eksportit të energjisë në rajon deri në vitin 2030.