Home / Lajme / Kosova / KEDS: Bizneset pa kontrata të furnizimit me rrymë shkyçen të shtunën

KEDS: Bizneset pa kontrata të furnizimit me rrymë shkyçen të shtunën

Që nga 16 gushti 2025, KEDS do të fillojë të shkyçë nga rrjeti të gjithë bizneset që nuk kanë kontratë të vlefshme furnizimi me energji elektrike. Ky veprim vjen pas njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe është i detyrueshëm sipas ligjit.

Sipas njoftimit të ZRRE-së të datës 13 gusht 2025, KEDS nuk ka të drejtë ligjore të vazhdojë furnizimin me energji për konsumatorët pa marrëveshje me furnizues të licencuar. Ky detyrim rrjedh nga paragrafi 7 i nenit 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe neni 8 i Rregullës për Ndërrimin e Furnizuesit.

Për të ruajtur stabilitetin dhe integritetin e sistemit elektroenergjetik, më 16 gusht 2025, KEDS do të shkyçë nga rrjeti të gjithë konsumatorët pa marrëveshje aktive furnizimi. Të gjithë ata që nuk kanë nënshkruar ende kontratë me një furnizues të licencuar duhet ta bëjnë këtë menjëherë për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike.

Ky proces është pjesë e reformave të liberalizimit të tregut të energjisë dhe duhet zbatuar plotësisht. KEDS nuk ofron shërbime furnizimi – roli i tij është i kufizuar vetëm në shpërndarjen e energjisë elektrike, dhe kompania është e detyruar të zbatojë vendimet e ZRRE-së.

Mosveprimi i menjëhershëm do të rezultojë në shkyçje nga rrjeti. Konsumatorët ftohen të kontaktojnë menjëherë një furnizues të licencuar për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit dhe për të përmbushur kërkesat ligjore dhe rregullative. KEDS thekson përkushtimin e tij për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe për respektimin e plotë të udhëzimeve të organeve rregulluese.