Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar Indinë se po ndihmon luftën e Moskës në Ukrainë duke blerë derivate ruse të energjisë, duke nxjerrë nga binarët bisedimet tregtare ndërmjet Indisë dhe SHBA-së, analizon gazeta “The New York Times” zhvillimet në ditën e hyrjes në fuqi të tarifave amerikane prej 50 për qind për mallrat nga shteti aziatik.
Për muaj të tërë, zyrtarët indus dhe amerikanë të tregtisë do të shtyheshin në bisedime për gjëra, si tarifat dhe kuotat e importit, në përpjekje që të arrinin një marrëveshje me të cilën të dyja palët mund të pajtoheshin. Presidenti Trump, i vendosur të mbyllte një deficit tregtar prej 44 miliardë dollarësh me Indinë, kërcënonte të vendoste tarifa për mallrat e Indisë të eksportuara në Amerikë.
Pastaj, Trump e përfshiu Rusinë në këtë çështje.
Ai do ta qortonte Indinë për blerjet e derivateve energjetike ruse, duke postuar në mediat sociale se shteti aziatik ishte “blerësi më i madh i energjisë ruse, së bashku me Kinën, në kohë kur të gjithë duan që Rusia të ndalë vrasjet në Ukrainë”.
Për këtë, presidenti Trump do të nxirrte një urdhër ekzekutiv më 6 gusht duke thënë se do të vendoste një tarifë prej 25 për qind për importet e mallrave të Indisë si ndëshkim për blerjen e naftës ruse. Kjo tarifë, e cila hyri në fuqi të mërkurën, ishte shtesë pos asaj prej 25 për qind që ai tashmë e kishte vendosur.
Me 50 për qind, India tani po përballet me tarifat më të larta se çdo vend në botë dhe shumë më të larta se ato që synojnë rivalët e saj aziatikë.
Shumë njerëz dhe organizata të tjera kishin argumentuar gjithashtu se India po e ndihmonte Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës duke blerë naftë ruse. Por presidenti Trump do ta bënte këtë pjesë të bisedimeve tregtare SHBA-Indi.
Kërkesa e presidentit Trump, të cilën India e quan të ashpër dhe të pajustifikuar, ishte si bombë e papritur në negociatat ndërmjet dy vendeve. Ja çfarë duhet të dini rreth mosmarrëveshjes.
A nuk është sanksionuar Rusia?
Moska është nën sanksione, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Në përpjekje për të dëmtuar përpjekjet e luftës së Rusisë, Perëndimi vendosi një kufi për çmimin që Rusia mund të kërkonte për naftën e saj.
Por India nuk e pranoi planin.
Pasi u vendosën sanksionet dhe tregjet europiane e të tjera ia mbyllën dyert Rusisë, filluan të shtohen eksportet detare nga Rusia në Indi.
Rusia kundërshtoi kërcënimet e presidentit Trump kundër Indisë. Rusia beson se është “e paligjshme” të përpiqesh “të detyrosh vendet e tjera të ndërpresin lidhjet tregtare me Rusinë”, ka deklaruar Dmitri S. Peskov, zëdhënës i Kremlinit, për agjencitë ruse të lajmeve.
Kina është një tjetër blerëse e madh e naftës ruse që nuk iu bashkua përpjekjeve për sanksione.
Vendi ka marrëdhënie veçanërisht miqësore me Rusinë, dhe tregtia midis Kinës dhe Rusisë është rritur me dy të tretat qëkur Rusia pushtoi Ukrainën. Vjet, tregtia e tyre dypalëshe tejkaloi shifrën prej 240 miliardë dollarë, me Kinën që dërgoi gjithçka, nga makinat deri te dronët.
Por pos Kinës, asnjë vend tjetër nuk po blen më shumë naftë ruse këto ditë sesa India.
Çfarë sasie nafte ruse blen India?
Shumë më tepër sesa para se presidenti rus, Vladimir V. Putin, të niste pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.
Pak para fillimit të luftës, nafta e papërpunuar ruse përbënte 0.2 për qind të sasisë së importeve të Indisë. Deri në maj të vitit 2023, Rusia i shiste Indisë më shumë se dy milionë fuçi naftë bruto në ditë, ose afërsisht 45 për qind të importeve të saj.
India ka blerë një fluks pothuajse konstant të naftës ruse gjatë dy viteve të fundit. Çmimet luhateshin, me shitje totale me vlerë më shumë se 130 miliardë dollarë në vit. Iraku dhe Arabia Saudite, tradicionalisht furnizuesit më të mëdhenj të Indisë, janë lënë pas dore.
Në qershor të vitit 2023, një analizë e të dhënave të transportit nga “The New York Times” do ë vinte në pah se dhjetëra tankerë rusë po mbërrinin çdo muaj në rafineritë e naftës në Indi.
Pse India po blen kaq shumë naftë nga Rusia?
Është më lirë pasi sanksionet kanë pakësuar kërkesën potenciale dhe kanë mbajtur të ulët çmimin.
Një arsye tjetër: India nuk është prodhuese e madhe e naftës dhe është vendi më i populluar në botë dhe ekonomia e madhe me rritjen më të shpejtë. Ajo ka nevojë për shumë naftë.
Blerja e naftës ruse nga India u ka shkuar për shtat të dy palëve. Rusia është në gjendje të shesë naftën e saj të papërpunuar, teorikisht nën tavanin e çmimit që Bashkimi Europian kishte vendosur me 60 dollarë për fuçi, dhe India e blen të njëjtën naftë me zbritje. Kompanitë e naftës të Indisë kanë rafinuar një pjesë për konsum të brendshëm dhe kanë eksportuar pjesën tjetër në Europë dhe tjetërkund si naftë dhe produkte të tjera.
Pos ndihmës në fuqizimin e ekonomisë së Indisë, nafta e lirë ruse e ka ndihmuar Indinë të krijojë një biznes fitimprurës duke eksportuar produkte të rafinuara në rajone që kanë nevojë për furnizime të freskëta me energji. Një nga rafineritë e Indisë, që ndodhet në bregdetin perëndimor të vendit në Jamnagar, është më e madhja në botë.
Rritja e importit të naftës ruse ka ndihmuar rritjen e fitimeve për kompani si konglomerati indian “Reliance Group”, i cili menaxhon rafinerinë në Jamnagar. Çmimi i aksioneve të “Reliance” është rritur që nga fillimi i luftës, një periudhë në të cilën çmimi i “Exxon Mobil” ka mbetur i pandryshuar. Kohët e fundit, rafineritë në Indi kanë blerë më pak naftë ruse se zakonisht, sipas Kplerit, që monitoron të dhënat e mallrave dhe të transportit. Por zëvendësimi i plotë i derivateve ruse që ka importuar do të ishte i vështirë për Indinë, pjesërisht sepse rafineritë e saj janë të konfiguruara për llojin e naftës që prodhon Rusia. “Heqja dorë nga nafta e Rusisë – nëse detyrohet – do të jetë e kushtueshme, komplekse dhe politikisht e tensionuar”, ka shkruar Kpler në një analizë.