U.d. Kryeshefi Ekzekutiv, z. Shaban Neziri, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti në takim një delegacion të lartë nga kompania homologe e Maqedonisë së Veriut– MEPSO, të kryesuar nga Drejtori Gjeneral, z. Burim Latifi.
Në qendër të diskutimeve ishte projekti strategjik për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Prizren – Tetovë, i cili synon të krijojë një lidhje të fuqishme ndërmjet dy sistemeve energjetike kombëtare. Kjo linjë është pjesë e planeve afatgjata për zhvillimin e rrjetit, të harmonizuara gjithashtu me udhëzimet e ENTSO-E.
Ky projekt do të sjellë përfitime të shumëfishta, përfshirë: rritjen e kapaciteteve të ndërlidhjes ndërmjet dy vendeve, përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji, krijimin e mundësive për tregti më efikase të energjisë në rajon, si dhe mbështetjen e integrimit të burimeve të ripërtëritshme, në kuadër të tranzicionit të gjelbër dhe objektivave afatgjata për energjinë e qëndrueshme.
Palët u pajtuan që në periudhën në vijim të rrisin bashkëpunimin teknik dhe institucional, për të mundësuar realizimin e suksesshëm të këtij projekti strategjik për të dy vendet dhe për stabilitetin energjetik të rajonit.