Home / Lajme / Rajoni / Kroacia po shqyrton ndërtimin e një centrali bërthamor në territorin e vet

Kroacia po shqyrton ndërtimin e një centrali bërthamor në territorin e vet

Qeveria e Kroacisë ka formuar një grup pune për të përgatitur legjislacionin e nevojshëm mbi energjinë bërthamore dhe për të analizuar mundësitë e vendndodhjeve të përshtatshme, si për centrale tradicionale, ashtu edhe për reaktorë modularë të vegjël (SMR).

Ministri i Ekonomisë, Ante Šušnjar, deklaroi se objektivi është ulja e emetimeve të CO₂ dhe forcimi i pavarësisë afatgjatë energjetike të vendit. Grupi i punës përfshin përfaqësues nga ministritë, institucionet shtetërore, universitetet dhe sektori energjetik.

Detyra kryesore e grupit punuesështë përgatitja e kuadrit ligjor që do të mundësojë zhvillimin e energjisë bërthamore si një burim me emetime të ulëta karboni, si edhe themelimi i një organi të pavarur rregullator që do të mbikëqyrë këtë sektor.

Njëkohësisht, grupi do të vlerësojë vendndodhje të mundshme për centralet bërthamore, përfshirë opsionin e reaktorëve modularë të vegjël, të cilët konsiderohen më fleksibël, më të sigurt dhe më të shpejtë për t’u ndërtuar krahasuar me impiantet klasike.

Aktualisht Kroacia nuk ka central bërthamor në territorin e saj, por është bashkëpronare e centralit bërthamor në Krško të Sllovenisë, i cili mbulon rreth 16% të nevojave energjetike të vendit.