Të dhënat e fundit për të ardhurat dhe shpenzimet e lidhura me mjedisin tregojnë një hendek të thellë mes parave të mbledhura dhe asaj që shpenzohet në mbrojtjen e mjedisit.
Sipas raportit të Atlas Institute, në vitin 2024 të hyrat nga taksat mjedisore arritën në 377.7 milion euro, 37 milion euro më shumë se në vitin 2023. Megjithatë, shpenzimet reale për mbrojtjen e mjedisit ishin vetëm 7.4 milion euro, duke u ulur me rreth 491 mijë euro krahasuar me një vit më parë.
Kjo situatë tregon se ndërsa të ardhurat nga taksat mjedisore rriten, shpenzimet për projekte dhe masa konkrete mjedisore nuk ndjekin të njëjtin ritëm. Tendenca e pakënaqshme ka qenë e dukshme edhe në vitet e mëparshme: nga viti 2019 deri në 2024, të hyrat nga taksat mjedisore janë rritur nga rreth 287.8 milion euro në 377.7 milion euro, ndërsa shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit kanë qëndruar shumë të ulëta, duke zbritur nga 23.7 milion euro në 7.4 milion euro.
Për ekspertët e sektorit, kjo ngre pyetje serioze mbi transparencën dhe destinacionin e fondeve të mbledhura për mbrojtjen e mjedisit. Nëse paratë nuk përdoren për qëllimin e tyre kryesor, rritet shqetësimi për ndikimet afatgjata në cilësinë e mjedisit dhe zbatimin e politikave të qëndrueshme mjedisore.
