Home / Lajme / Kosova / Shqiptarët në veri kërcënohen nga “Elektroserver” me shkyçje nga rryma

Shqiptarët në veri kërcënohen nga “Elektroserver” me shkyçje nga rryma

Banorët e Lagjes “Lugina e Doktorëve” në Mitrovicë të Veriut kanë dërguar një kërkesë publike për mbrojtjen e tyre nga një kërcnim të shoqërisë private “ELEKTROSERVER”.

Sipas banorëve, shoqëria ka dërguar kohëve të fundit letra pa vulë zyrtare, numër protokolli apo nënshkrim, duke i kërkuar secilës familje pagesa deri në 1,000 euro, me kërcënimin se në të kundërtën do të ndërpritet furnizimi me energji elektrike.

Banorët kërkojnë që:

  1. Kërcënimi për ndërprerje të energjisë të konsiderohet i paligjshëm.
  2. Pagesa paushall për rrymën elektrike të hidhet poshtë dhe pagesa të bëhet vetëm sipas matësit të energjisë për çdo familje.
  3. Çdo familje të ketë qasje në leximin e matësve elektrik në çdo kohë dhe fletëpagesat të dorëzohen të mbyllura individualisht.
  4. Adresa zyrtare e lagjes të shënohet si “Lagjja Lugina e Doktorëve, Mitrovicë e Veriut” dhe jo në mënyrë alternative.
  5. Të respektohet dygjuhësia shqip dhe sërbisht në të gjitha institucionet shtetërore dhe private.
  6. Të formohet një komision komunal për mbrojtjen e qytetarëve nga keqpërdoruesit publikë dhe privatë.

Banorët theksojnë se, gjatë tentativës për të vizituar selinë e “ELEKTROSERVER”, janë pritur në mënyrë përbuzëse dhe pa përkthyes, me flamuj të Serbisë mbi tavolinë, duke ndjerë trajtim diskriminues.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve komunale dhe shtetërore për të mbrojtur të drejtën e tyre për furnizim të rregullt me energji elektrike dhe për të parandaluar çdo keqpërdorim të mundshëm.

/Telegrafi