Home / Lajme / Tjera / KIESA dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

KIESA dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me synim forcimin e lidhjes mes industrisë, akademisë dhe institucioneve shtetërore.

Marrëveshja u zyrtarizua gjatë Kongresit të Parë Ndërkombëtar të Inxhinierisë Mekanike, i mbajtur më 10–11 shtator në Prishtinë. Në ceremoninë hapëse, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, Zef Dedaj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përmendi iniciativat që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka ndërmarrë në këtë drejtim.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. Mirlind Bruçi, dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, theksuan po ashtu rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe tregut të punës.

Si pjesë e marrëveshjes, palët do të organizojnë në vitin 2026 një konferencë të përbashkët në Prishtinë, e cila do të fokusohet në inovacion, inxhinieri mekanike dhe avancimin e bashkëpunimit për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.