Ministria e Ekonomisë ka mbajtur një sesion informues për thirrjen publike “Mbështetje financiare për OJQ-të për përkrahjen e aktiviteteve që promovojnë fushën e energjisë dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”, ku mori pjesë edhe ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli.
Thirrja është e hapur për të gjitha OJQ-të e regjistruara në Republikën e Kosovës që veprojnë në fushën e energjisë dhe teknologjisë së informacionit e komunikimit. Përmes saj, organizatat ftohen të aplikojnë me projekte që synojnë rritjen e efiçiencës së energjisë, promovimin e burimeve të ripërtëritshme dhe zhvillimin e teknologjive të avancuara të TIK-ut.


Në sesion morën pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare që veprojnë në këto fusha, të cilët u informuan më gjerësisht për procedurat e aplikimit. Ministrja Rizvanolli i inkurajoi ato që të aplikojnë, duke theksuar se kjo mbështetje është një mundësi për të kontribuar në dy fusha strategjike për Kosovën: energjinë dhe teknologjinë e informacionit.
Ky program synon fuqizimin e OJQ-ve si partnerë aktivë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë dhe teknologjisë në vend. Projektet e përkrahura pritet të ndikojnë në rritjen e ndërgjegjësimit publik, edukimin e komuniteteve dhe promovimin e zgjidhjeve inovative që sjellin përfitime për qytetarët dhe mjedisin.
Afati për aplikim në këtë thirrje është i hapur deri më 19 shtator 2025.