Bashkimi Evropian ka nisur një iniciativë të re prej 17.5 miliardë eurosh për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) në rritjen e efikasitetit energjetik. Programi, i cili do të zbatohet nga Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve (EIB) me mbështetjen e Komisionit Evropian, synon të ndihmojë mbi 350 mijë kompani në gjithë Evropën gjatë periudhës 2025–2027.
Pritet që përmes kësaj nisme të mobilizohen mbi 65 miliardë euro investime deri në vitin 2027, duke kombinuar kredi, kapital dhe instrumente të tjera financiare. Një prej risive është krijimi i një “one-stop-shop” për efikasitet energjetik, ku bizneset do të kenë qasje më të lehtë në financim dhe këshillim.
Iniciativa përfshin edhe bashkëpunimin me “Solar Impulse Foundation” për promovimin e modelit “efikasitet energjetik si shërbim”, ku kompanitë paguajnë për kursimin e energjisë pa pasur nevojë për investime të mëdha paraprake.
Sipas BE-së, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shpesh përballen me pengesa financiare dhe burokratike për të investuar në teknologji të gjelbra. Me këtë program synohet ulja e kostove të energjisë, rritja e konkurrueshmërisë së tyre dhe përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër në kontinent.