Kandidati i AAK-së për kryetar të Prizrenit, Besnik Krasniqi, ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e Bashkësisë Islame në Prizren. Në këtë takim morën pjesë kryetari Valon ef. Ibrahimi, kryeimami Orhan ef. Bislimaj dhe sekretari Faruk Ukallon.
Krasniqi prezantoi vizionin e tij për komunën, duke theksuar se objektet e kultit fetar do të trajtohen me prioritet në programin e tij. Ai premtoi hartimin e një rregulloreje të veçantë komunale, e cila do të garantojë mbështetje të vazhdueshme për funksionalitetin dhe mirëmbajtjen e këtyre hapësirave.
Sipas tij, plani parasheh sigurimin e energjisë elektrike deri në një nivel të përcaktuar për çdo objekt kulti, si dhe mbulimin e shpenzimeve për mirëmbajtje, rregullim dhe pastrim. Po ashtu, do të sigurohet ndriçim profesional për objektet e veçanta, me synim që ato të mbrohen dhe të respektohen si hapësira me rëndësi të veçantë për komunitetin.
Krasniqi tha se këto masa do të garantojnë jo vetëm funksionimin më efikas të objekteve fetare, por edhe ruajtjen e dinjitetit të tyre, duke i vënë ato në shërbim të të gjithë qytetarëve të Prizrenit.