Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka vendosur të financojë 17.5 milionë euro për të ndihmuar kompaninë greke Joltie në zgjerimin e rrjetit të karikimit për automjetet elektrike në Greqi dhe Qipro.
Investimi, i mbështetur nga programi InvestEU, ka si qëllim instalimin e rreth 2,200 pikave të reja të karikimit deri në vitin 2029, duke përmirësuar infrastrukturën e makinave elektrike në rajon.
Projekti synon të kontribuojë në uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe dekarbonizimin e transportit rrugor, duke ndihmuar tranzicionin elektrik. Ai është në përputhje të plotë me qëllimet e programit InvestEU për ‘Lëvizshmërinë e së Ardhmes’ dhe mbështet strategjitë e Bankës Klimatike dhe politikat e transportit të BEI.
Ky financim pritet të ndihmojë në mbushjen e boshllëqeve në treg, duke nxitur inovacionin në transportin e qëndrueshëm.
Plani gjithashtu përforcon prioritetet e Bankës në veprimin klimatik, promovimin e kohezionit rajonal dhe lehtësimin e aksesit të bizneseve në financime.
Burime nga Banka Evropiane e Invesimeve theksuan se bashkëpunimi me Joltie do të zgjerojë infrastrukturën e karikimit të makinave elektrike në Greqi dhe Qipro, duke e bërë mobilitetin elektrik më të aksesueshëm dhe të përballueshëm për qytetarët. Sipas tyre, ky financim do të shtojë investime private dhe do të forcojë kapacitetet lokale për të arritur objektivat e veprimit klimatik.