Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të martën se dëshiron që Evropa të ndalojë tërësisht blerjen e naftës nga Rusia deri në fund të këtij viti, si pjesë e përpjekjeve për të reduktuar varësinë energjetike nga Moska për shkak të luftës në Ukrainë.
Ndërkohë, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj Rusisë, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave të rënda, nëse Moska nuk pranon të hyjë në bisedime paqeje. Megjithatë, ai theksoi se këto masa do të jenë efektive vetëm nëse vendet evropiane ndalojnë plotësisht importet e naftës dhe gazit nga Rusia.
Trump u shpreh i indinjuar pasi, sipas tij, mori vesh vetëm dy javë më parë se disa shtete të Evropës ende po blejnë produkte të naftës ruse, pavarësisht se lufta vijon. “Është turp që edhe vende anëtare të NATO-s nuk e kanë ndalur ende blerjen e energjisë ruse. Janë duke financuar luftën kundër vetes,” tha ai.
“Evropa duhet të lëvizë më shpejt. Nuk është e pranueshme të vazhdojnë të blejnë energji nga një vend me të cilin janë në konflikt të hapur. Është turp për ta dhe ishte turp për mua ta zbuloja këtë fakt,” shtoi Trump.
Ai nënvizoi se SHBA është plotësisht e përgatitur të vendosë tarifa ndëshkuese, të cilat, sipas tij, “do të ndalonin shpejt gjakderdhjen”, por theksoi se bashkëpunimi i vendeve evropiane është vendimtar për efektivitetin e këtyre masave.